Ekonomi
“Osllomeja” do të prodhojë energji nga dielli
03.04.2019 16:11
Deri më 10 maj zgjat thirrja publike për ndërtimin e centralit fotovoltaik me kapacitet prej 10 megavatësh në termocentralin Osllomej në Kërçovë...

Vlera e projektit është 7 milion euro, prej të cilave 5,9 milion janë kredi e marrë nga Banka Evropiane për Zhvillim, ndërsa pjesa tjetër janë mjete të Kompanisë “ELEM”.
“Procedura do të jetë transparente sipas kushteve të BERZh-it. Kompanitë duhet të plotësojnë dy kushte teknike dhe çmim. Për sa i përket kualifikimit teknik, nuk duhet të jetë një problem dhe sa i përket çmimit do të zgjidhet më i ulëti”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
“Qendra Foltovotaike do të ketë një kapacitet prodhues prej gati 10 megavatesh të energjisë elektrike në vit, duke mbuluar kështu nevojën për një total prej 2,000 amvisëri. Me këtë projekt, ELEM do të rehabilitojë 15 hektarë tokë mbi minierën e shfrytëzuar të qymyrit, rezervat e të cilave janë afër përfundimit”,- tha drejtori gjeneral i ELEM-it, Dragan Minovski.
“Ky projekt nuk është i rëndësishëm vetëm për sektorin energjetik, por edhe për sigurinë për furnizimin me energji elektrike në vend, kjo ka të bëjë edhe me aspektin ekologjik, pra me ruajtjen e ambientit. Njëkohësisht plotësohen edhe kushtet të cilat dalin nga ligjet për burimet minerale, që thotë se pikërisht 5% e mjeteve duhet të investohet në rikultivimin e minierave aktuale”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Vitin e ardhshëm është paraparë të instalohen qendra të njëjta fotovoltaike edhe në minierën për qymyr në komunën e Manastirit.
REJHANE BUSHI METAJ
