Botë

Shqipëri, tensione në protestën e opozitës

03.04.2019 18:24

Protesta e tetë e opozitës është shoqëruar sërish me tensione....

Pasi kanë hedhur kapsolla e tymuese, një grup protestuesish kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë për të mësyrë drejt godinës së kuvendit, por janë neutralizuar shumë shpejt nga forcat e policisë. Në protestën e sotme nuk ishte i pranishëm kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ndodhet në Berlin në një takim me deputetët e CDU-së. Fjalën mbyllëse të protestës e ka mbajtur nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, i cili tha se Rama ka mbledhur në parlament disa deputetë “surrogatë”.
 
Teksa jashtë kuvendit protestohej, kryeministri, Edi Rama, ka shprehur për herë të parë angazhimin e tij për të shpërbërë dy partitë opozitare, PD-në e LSI-në.
 
Pasi kanë protestuar para kuvendit, protestuesit i janë drejtuar Kryeministrisë. Në mënyrë simbolike ata kanë djegur në mënyrë demonstrative një piramidë, që sipas tyre simbolizonte krimin që ka pushtuar qeverinë. Edhe për protestën e sotme ishin angazhuar mbi 1200 forca policore.
 
LULJETA NDOKA