Hiqet “roamingu” në Ballkan, marrëveshja hyn në fuqi në korrik të vitit 2021
04.04.2019 12:19
Të gjithë pajtohemi se tarifat e roamingut janë pengesë kur udhëtojmë kudo jashtë vendit....

Por, të paktën në disa vende në Ballkan, shumë shpejt, nuk do të bëjmë më telefonata me kosto të larta. 6 vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia nënshkruan në Beograd marrëveshjen, sipas të cilës, prej datës 1 korrik të vitit 2021, në secilin prej 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mund të flitet me koston e një telefonate lokale dhe jo më me tarifat e shtrenjta roaming.
Marrëveshja do të nisë të zbatohet në korrik të vitit 2021, ndërkohë që reduktimet e tarifave do të fillojnë që nga 1 korriku i këtij viti, si formë lehtësimi për komunikimet ndërmjet qytetarëve.
Nënshkrimi i marrëveshjes së sotme vjen pas rreth 2 vitesh negociatash të vazhdueshme mes palëve, me ndërmjetësimin dhe interesimin e drejtpërdrejtë të Brukselit. Komisioni Europian e ka vendosur këtë çështje si prioritet, duke e përdorur heqjen e tarifave roaming si një strategji efikase për të integruar më shumë rajonin.
