Maqedoni
Zgjedhjet presidenciale 2019, Reka vazhdon fushatën në Haraçinë
04.04.2019 15:05
Kandidati i pavarur për president, Blerim Reka, i shoqëruar nga kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela....

Kandidati i pavarur për president, Blerim Reka, i shoqëruar nga kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, dhe ai i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, mbrëmë mbajtën tubim qendror në komunën e Haraçinës. Para qytetarëve të kësaj komune kandidati për president, Blerim Reka, theksoi se është për një shtet të barabartë, ku shqiptarët do të kenë pozita të rëndësishme udhëheqëse në Maqedoni. Ai iu bëri thirrje qytetarëve që me votën për kandidaturën e tij do të votojnë për vetveten e tyre.
“E di se do të votoni shqip, do të votoni për vetveten dhe jo për tjetrin. Kandidimi im i pavarur ka edhe një simbolik tjetër, për herë të parë në këto troje po bëhet përpjekje për unifikimin e faktorit politik shqiptar. Ne jemi për shtetin e të gjithëve, për shtetin ku edhe shqiptarët mund të jenë president, kryetar qeverie, ministër i punëve të jashtme, ministër i financave, shef shtabi dhe shef i zbulimit dhe kundërzbulimit. Prandaj me votën tuaj mos pranoni oferta të kamufluara të cilat në dukje janë shumë tërheqëse, por me prapavijë strategjikisht shumë të dëmshme për ardhmërinë politike të shqiptarëve. Ju më 21 prill keni mundësi që t’i thoni jo rikthimit të direktivave partiake. Ju do të votoni më 21 prill dhe ju e keni zgjedhjen a do të votoni vëllanë apo komshiun”,- tha kandidati i pavarur për president, Blerim Reka.
Kreu i ASh-së, Ziadin Sela, tha se është për ndërtimin e një sistemi ku nuk do të varet nga individi, për një sistem ku shqiptarëve do t’iu garantohen të gjitha të drejtat.
“Ajo që ne na intereson dhe për të cilën jemi të interesuar si shqiptarë, jemi të interesuar për të ndërtuar sistem dhe institucione që do të garantojnë të drejtën e shqiptarëve në Maqedoni dhe kjo e drejtë mos të jetë e cenueshme pa marrë parasysh cili sistem instalohet në atë institucion dhe këtu vijmë te simbolika e zgjedhjeve presidenciale. Më 21 prill është shumë e qartë, duhet votuar kandidati shqiptar”,- tha kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, iu bëri thirrje bashkëqytetarëve maqedonas për të votuar kandidatit shqiptar në këto zgjedhje, me çka do të dëshmonin se janë për shtet të barabartë.
“Në këtë fazë, nëse duam që qytetarët e Maqedonisë, nëse duan bashkëqytetarët tanë maqedonas të tregojnë se janë të gatshëm të bashkëjetojnë me ne, të barabartë, si partnerë të këtij shteti, atëherë duhet të jenë të gatshëm të votojnë për president Blerim Rekën. Ju thërras që më 21 prill bashkërisht të votojmë numrin një, sepse ne si shqiptarë jemi një dhe nuk mund askush që të na ndajë”,- tha kryetari i Besës, Bilall Kasami.
Sipas agjendës, kandidati për president, Blerim Reka, ditëve në vijim fushatën elektorale do ta vazhdojë në qytetin e Dibrës dhe Strugës.
ZEKIRIJA MEXHITI
