Maqedoni

“Skena e muzikës serioze shqiptare”, Ramë Lahaj me koncert sonte në TOB në Shkup

04.04.2019 16:14

Festivali “Skena e muzikës serioze shqiptare” shënon edicionin e shtatë, me performancë të emrave më të njohur të muzikës klasike....

Sonte në skenën e teatrit të Operës dhe Baletit, do të ngjitet në skenë tenori me famë botërore, Rame Lahaj, dhe sopranoja e njohur, Venera Gimadieva. Për Lahajn, ardhja në këtë festival është një emocion i veçantë, marrë parasysh se në skenën e tij edhe viteve të kaluara kanë perfomuar emra të njohur të muzikës klasike shqiptare, që kanë sjellë kështu edhe në Maqedoni, atë pjesë të krenarisë sonë, që rrallë përmendet. 
 
“E kam përkrahur si iniciativë për të sjellë të gjithë artistët e mëdhenj dhe jo vetëm shqiptarë, apo sidomos ata shqiptarë në Maqedoni, unë jam shumë me atë që është bërë mjaft presion me u dhënë shqiptarëve një imazh që nuk u takon atyre, kështu që është koha jonë që secili në fushën e vet të tregojë aty ku shqiptarët përkasin dhe imazhi i tyre duhet të pastrohet”,- tha tenori, Ram Lahaj.
 
Organizatori i Festivalit, Fatos Limani, thotë se aktivitetet do të vazhdojnë edhe me emra të tjerë eminentë të muzikës serioze shqiptare. 
 
“Më datën 9, një trio me Shkelzen Baftijarin, piano trio, më datën 11 e kemi korrin nga Prishtina, siparamtun me Memli Kelmendin. Më datën 15 kemi 3 tenorët, datën 18 kemi Tedi Papavramin dhe mbaron skena e muzikës serioze shqiptare me artistët nga Maqedonia dhe orkestrën rinore nga Maqedonia”,- tha Fatos Limani nga “Skena e muzikës serioze shqiptare”.
 
Festivali mbahet sonte ne Teatrin e Operës dhe Baletit. Ai do të xhirohet nga Programi shqip i Televizionit Kombëtar, megjithatë emocionet e drejtpërdrejta janë gjithnjë më të bukurat, prandaj është mirë të jeni sonte në 19:30, në koncertin e tenorit, Rame Lahaj.
  
XHANAN HALILI