Maqedoni
Zgjedhjet presidenciale 2019, Pendarovski mbajti konventën në Shkup
04.04.2019 16:49
Kandidati për president i LSDM-së dhe koalicionit, Stevo Pendarovski...

Kandidati për president i LSDM-së dhe koalicionit, Stevo Pendarovski, mbrëmë në sallën “Boris Trajkovski” mbajti konventën promovuese për zgjedhjet presidenciale. Sipas Pendarovskit, në vitin 2014 LSDM ishte partia që dëshmoi se mund të fitohen votat e të gjitha bashkësive etnike, në vitin 2016 u promovua koncepti “Një shoqëri për të gjithë”, i cili u tregua si tejet i suksesshëm. Ai tha se partia e tij është ajo e cila çdoherë ka dashur t’i tejkalojë kufijtë etnikë.
“Nëse në 2001-shin kishim Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, përmes të cilës mundësuam inkluzionin e të gjithë atyre që jetojnë në këtë shtet dhe atë e ndjejnë si shtet të vetin, me të drejtë mund të paralajmëroj arkitektin e Republikës së katërt të Maqedonisë, e ai është Zoran Zaev. E di se jemi të lodhur nga zgjedhjet, por duhet të mobilizohemi ta vazhdojmë rrugën që e filluam për një të ardhme evropiane të shtetit tonë. Nuk guxojmë të luajmë me të ardhmen e vendit dhe t’i hedhim poshtë të arriturat e kësaj qeverie. Ne nuk na sjell ardhmëri anulimi i Marrëveshjes së Prespës. Para një dite thoshin se me qëllim nuk e kemi lëshuar himnin, sepse kemi nënshkruar marrëveshje që e ndalon atë. Kjo s’ka qenë asnjëherë e saktë dhe as që do të jetë ndonjëherë e saktë. Tani do t’i tregojmë të gjithë atyre që nuk besojnë se gjithë kohës punojmë për Maqedoninë, të gjithë e prisnim këtë ka pesë vjet. Erdhi koha që të marrim atë që na morën atëherë, një fitore të madhe për të gjithë ne, për vendin tonë, për të nesërmen tonë të përbashkët”,- tha kandidati për kryetar i LSDM-së, Stevo Pendarovski.
Ndërkohë, sipas liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, VMRO-DPMNE nuk ofron asgjë për të ardhmen e vendit, ndërkohë që LSDM është e përgatitur të ulet të bisedojë dhe të ofrojë Mickovskit dorën e pajtimit nëse ai heq dorë nga politikat e paraardhësit të tij Gruevskit.
“U miqësuam me të gjithë fqinjët dhe me tërë botën vetëm në shtëpinë tonë, në vendin tonë, nuk u shtri dora e pajtimit. E tëra kjo për shkak të përfitimit të pikëve politike nga VMRO-DPMNE dhe ambicieve të tyre të vazhdojnë ta grabisin edhe më tej vendin. Unë jam i përgatitur që me gjithkënd të ulem të bisedoj, kur bëhet fjalë për të ardhmen e vendit. T’ua shtrij dorën edhe opozitës, nuk kam aspak paragjykime në këtë drejtim. Jam i gatshëm që edhe selfi të bëj me Mickovskin, vetëm që ai të shtrijë dorën dhe të heq dorë nga paraardhësi i tij, Nikolla Gruevski”,- theksoi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
LSDM ftoi qytetarët që masovikisht të dalin të votojnë në zgjedhjet presidenciale më 21 prill dhe 5 maj, sepse kjo është mënyra e vetme që vendi të hapërojë drejt NATO-s dhe BE-së.
FLUTURA LATIFI TOPOJANI
