Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2019, ASh promovon Arben Agollin për Dibrën
04.04.2019 17:18
Kandidati i Aleancës për Shqiptarët në Dibër, Arben Agolli...

Kandidati i Aleancës për Shqiptarët në Dibër, Arben Agolli, hapi mbrëmë shtabin zgjedhor duke filluar kështu edhe zyrtarisht aktivitetet e tij për zgjedhjet e 21 prillit në këtë komunë. Ai premtoi se nëse fiton zgjedhjet, do të punojë njësoj për të gjithë banorët e komunës së Dibrës, duke u dhënë fund, sipas tij, ndarjeve politike të pranishme aktualisht.
“Që nga dita që do të jem kryetar i komunës së Dibrës do të jem me përkushtim çdo ditë time të punës në të mirë dhe të keqe të të gjithë qytetarëve të Dibrës. Ju premtoj se njëherë e përgjithmonë do të mbarojnë dallimet e dibranëve të Aleancës apo të BDI-së. Ne jemi dibranë dhe patjetër duhet të jemi bashkë, motivi ynë është një ditë pak më ndryshe. Jo kot e zgjodha moton time për këtë fushatë shpreso, shpresë për Dibrën. Jam i bindur se është motoja më e zgjedhur nga vetë fakti se ata që janë shpresa e Dibrës, nuk jam unë si mjek, po shpresa e Dibrës janë të rinjtë që më rrinë mua mbas në çdo moment. Edhe unë e kam për detyrë që amanetin e tyre dhe djersën e tyre të cilët e duan Dibrën shumë e më shumë se unë duhet ta çojë deri në fund. Jam i bindur se duke qenë së bashku të gjithë ne mundë t’ia dalim”,- tha kandidati për komunën e Dibrës – ASh, Arben Agolli.
Edhe kryetari i degës së ASh-së, kryetari i shtabit qendror për zgjedhje presidenciale në Dibër, u bën thirrje anëtarësisë për angazhim maksimal.
REJHANE BUSHI METAJ
