“Monstra”: Peticion mbarëkombëtar në vend të protestave
Këshilli Koordinues për rastin “Monstra”, ka vendosur që për një periudhë të pacaktuar protestën kundër gjashtë të dënuarve me burg të përjetshëm ta zëvendësojë me organizimin e peticionit mbarëkombëtar.........

Kryetari i Këshillit Organizativ Koordinues, tha se një vendim të tillë kanë marrë në pamundësinë dhe pengesën nga ana e Kordonëve Policorë për të realizuar protestat. Peticioni në diasporë do të realizohet nga qytetarë, veprimtarë dhe shoqata të autorizuara nga ana e Këshillit.
“Ky peticion do të realizohet nëpërmjet hapjes së punkteve të ndryshme në të gjitha qytetet e Maqedonisë, në të cilat qytetarët duke e nënshkruar këtë peticion, do të mund të japin kontributin e tyre kombëtar dhe njerëzor. Për realizimin sa më të suksesshëm të këtij peticioni, si formë e solidarizimit ndërkombëtar do të hapen edhe punkte të ngjashme edhe jashtë Maqedonisë, me çka bashkëkombësit tanë anembanë botës do të mund të japin përkrahjen e tyre kundër shkeljes së të drejtave elementare kombëtare. Mjaft qytetarë kanë treguar interes t’i përgjigjen kësaj proteste dhe shpresojmë të mbledhim së paku 400 mijë nënshkrime”- deklaroi kryetari i Këshillit Koordinues, Bedri Ajdari.
Avokatët mbrojtës po presin dorëzimin e aktgjykimit nga ana e trupit gjykues të këtij rasti, që parashihet të përfundojë nesër.
“Nesër, ditën e shtunë mbushen 60 nga shpallja e vendimit nga ana e Këshillit Gjyqësor dhe deri më sot, 29 gusht, akoma nuk na është dorëzuar aktgjykimi pas shqiptimit. Të shohim nëse do të na dorëzojnë gjatë javës së ardhshme apo gjatë muajit shtator”- tha avokati mbrojtës, Asmir Alispahiq.
Ajdari, ftoi të gjithë qytetarët shqiptarë dhe OJQ-të të përkrahin peticionin në fjalë, ndërsa nënshkrimet e grumbulluara tha se do t’i dërgohen institucioneve në vend dhe atyre ndërkombëtare. (Florije Kamberi, TVM2)
