Zgjedhjet presidenciale 2019, Pendarovski mbajti konventë në Veles
Kandidati për president i LSDM-së dhe Koalicionit, Stevo Pendarovski....

Kandidati për president i LSDM-së dhe Koalicionit, Stevo Pendarovski, mbrëmë në Veles mbajti konventën promovuese për zgjedhjet presidenciale.
Të vazhdojmë së bashku përpara drejt avancimit, zhvillimit dhe integrimit të vendit, tha Pendarovski, duke potencuar se Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të jetë shteti ku sundon e drejta, prandaj është e patjetërsueshme që Prokuroria Speciale Publike të vazhdojë me punë.
“Kjo Qeveri dhe unë personalisht si kandidat për kryetar të shtetit, nuk kam për qëllim që të heq dorë nga vizioni i LSDM-së, që drejtësia të mbisundojë dhe proceset të çohen deri në fund. Por, siç e pamë deri më tani me mosdhënien e mandatit, edhe pse u mblodhën 61 nënshkrime të deputetëve, e kuptuam se duhet të përballemi me rrugën më të vështirë, të cilën sërish do ta tejkalojmë. Prokuroria Speciale duhet patjetër të vazhdojë punën e saj dhe t’i përndjek kriminelët, por gjithsesi edhe ata që tani ushtrojnë funksione publike, nëse nuk punojnë sipas normave ligjore dhe bëjnë shkelje të ligjeve. Vetëm një vend që dënon krimin mund të thotë me të drejtë se është vend evropian. Qëllimi ynë kryesor është që Maqedonia e Veriut të jetë shtet demokratik ku sundojnë ligjet dhe drejtësia”,- deklaroi kandidati i LSDM-së për kryetar shteti, Stevo Pendarovski.
Mbështetje për numrin 3 në listën presidenciale kërkoi nga Studeniçani edhe PDSh. Por, kjo mbështetje, sipas kreu të saj, Menduh Thaçi, duhet të përkthehet në barazi të plotë pas zgjedhjeve.
“Pa një barazi të plotë ekonomike, pa një shpërndarje të drejtë të buxhetit të shtetit, pa një zhvillim infrastrukturor të zonave ku jetojnë shqiptarët, nuk mund të quhet ky një vend që meriton të shkojë drejt BE-së dhe NATO-s. Ne nuk duhet të harrojmë në asnjë moment se kjo është rruga e vetme e mbijetesës tonë si komb. Pa diskutim e kam parasysh se shumë të drejta tona janë të cunguara si shqiptarë, por ju lus për mirëkuptim për këtë hap vendimtar, sepse kjo është e vetmja rrugë që kërkesat tona i bën kuptimplote”,- tha kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Edhe kreu i LSDM-së, Zaev, ftoi qytetarët që masovikisht të dalin të votojnë në zgjedhjet presidenciale më 21 prill dhe 5 maj, për një vend me qytetarë të barabartë që hapërojnë drejt NATO-s dhe BE-së. (Flutura Latifi, TVM2)
