Zgjedhjet presidenciale 2019, Siljanovska mbajti tubim në Koçan
Maqedoninë duhet ta mbrojmë me të gjitha forcat që i kemi....

Maqedoninë duhet ta mbrojmë me të gjitha forcat që i kemi, sepse kjo është betejë në mes atyre që dëshirojnë ta mbrojnë këtë pjesë toke që na ka mbetur, dhe në mes atyre që nuk zgjedhin metoda vetëm për të qenë në Qeveri, këto janë fjalët me të cilat VMRO-DPMNE dhe Siljanovska kanë kërkuar mbështetjen e banorëve të Koçanit.
“Në këto zgjedhje presidenciale, populli do ta deligjitimoj këtë Qeveri jotransparente, me kriminal të tepruar. Por, nëse do të deligjitimohen ata si politikanë, kjo nënkupton se do të deligjitimohen edhe vendimet e tyre të cilat i kanë sjellë deri më tani. Por, nuk janë shumë, për këto dy vite kanë bërë vetëm dy ndryshime, emrin e shtetit dhe kushtetutën. Por, kjo ne nuk na brengos shumë, sepse ne deri sa ta këndojmë himnin e këtij shteti, ne do të mbesim maqedonas. Në këto zgjedhje do të vijë nënshkrimi i qytetarëve i cili do të jetë si vendim final për këtë kohë që kemi kaluar nën këtë okupim. Thonë disa analistë amerikanë se kërcënimi më i madh i suverenitetit të një shteti është krimi dhe korrupsioni, nëse është kështu atëherë nuk e di suvereniteti ynë ku është”,- tha kandidatja e VMRO-DPMNE për presidente, Gordana Siljanovska Davkova.
“Kemi kaluar shumë qytete gjatë kësaj kohe, por gjithandej kemi parë qytetarë të tronditur, të brengosur, të torturuar, e të shtypur, prandaj këto zgjedhje nuk janë vetëm zgjedhje të thjeshta presidenciale, por është kur duhet të sillet vendimi se a do të bije okupimi i zaevizmit, apo do të shtohet e njëjta. Prandaj na duhet mobilizim i fuqishëm, që më datën 21 prill, e më pas edhe më 5 maj, ta dënojmë këtë politikë devijuese. Por, më besoni se nëse shënojmë tani fitore, fitorja e tretë dhe e vërtetë do të vijë në zgjedhjet parlamentare të cilat do të vinë më pas. Thotë Zaevi se do të realizojë selfi me mua, deri këtu jemi në rregull, por këtë kënaqësi do ta ketë vetëm atëherë kur t’i sjellë në mesin e qytetarëve ato 8,5 milion eurot të cilat i vodhi nga qytetarët”,- tha lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski.
Mickovski po ashtu potencoi se LSDM dhe Zaev ka premtuar për bujqit shumë subvencione, por brenda dy viteve asgjë nuk ka realizuar, atë të cilën e ka Zaevi sipas Mickovskit është vetëm largimi i 450 qytetarëve nga vendi çdo javë. (Fitim Kryeziu, TVM2)
