20 vjetori i Eksodit të shqiptarëve nga Kosova, Qendër përkujtimore e Eksodit “Bllacë 99”
Në shënimin e 20 vjetorit të eksodit masiv të shqiptarëve nga Kosova drejtë Maqedonisë....

Në shënimin e 20 vjetorit të eksodit masiv të shqiptarëve nga Kosova drejtë Maqedonisë është marrë iniciativë të krijohet Qendra përkujtimore “Bllaca 99”. Instituti i Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve dhe Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve nga Trojet e Veta, theksuan se në Bllacë vuloset vuajtja e vaji dhe aty personifikohen shpërnguljet e shqiptarëve që kanë ndodhur gjatë gjithë shekullit. Aty është muri i vajtimit të shqiptarëve për eksodin që e përjetuan.
“Nga vitit 1945 e deri në vitin 1999 ne kemi mbi 1 milion shqiptarë të shpërngulur nga trevat e tyre etnike. Po ashtu kemi edhe me qindra e mijëra të vrarë. Gjithashtu kemi edhe 1 milion të burgosur shqiptarë të cilët nuk pajtoheshin me regjimin jugosllav. Dhe vijmë tek vitit 1999, i cili ishte një kontinuitet i asaj politike të shek. 19 dhe 20 për të realizuar qëllimet e tyre më famëkeqe me çbërjen e elementit shqiptar në trevat e Ballkanit”,- tha drejtori i ITShKSh-Shkup, Skender Asani.
“Plani i serbëve ka qenë që të mos lejë asnjë shqiptarë atje, fakti që mbi 80% e Kosovës u përzunë në mënyrë të dhunshme edhe u janë shqyer të gjitha dokumentet që mos të kthehen më. Ajo është një spastrim klasik etnik”,- theksoi bashkëpunëtori i lartë shkencor në ITKSh-së, Zeqirija Ibrahimi.
“Më 10 prill të mërkurën ku do të dërgohet treni i cili ka mbajtur refugjatë dhe do të vendoset si tren muze, do të qëndrojë në Bllacë dhe do të vihet edhe gurthemeli”,- theksoi kryetari i Shoqatës për kthimin e shqiptarëve nga trojet e veta –Prishtinë, Jahja Lluka.
Në atë periudhë nuk munguan as ndihmat nga Kryqi i Kuq edhe pse ai nuk ishte aq sa duhet i përgatitur për një mision kaq të madh humanitar.
“Në atë kohë, sipas Kryqit të Kuq në Maqedoni kanë hyrë rreth 400 mijë persona. Por, sipas disa të dhënave në përgjithësi janë larguar 900 mijë persona”,- tha sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq në RMV, Sait Saiti.
Të pranishmit theksuan se nuk duhet harruar e kaluara, me shpresë se në të ardhmen mos të ketë ngjarje të tilla, ashtu siç kishte në Kosovë. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)
