Maqedoni
Ekstradimi i pjesëtarëve të FETO-s, Zaev: Respektojnë standardet ndërkombëtare
05.04.2019 17:30
Pas kërkesës së ministrit të mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar, gjatë vizitës në Shkup...

Pas kërkesës së ministrit të mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar, gjatë vizitës në Shkup, që Maqedonia të marrë masa kundër pjesëtarëve të organizatës FETO që gjenden në Maqedoni, janë prononcuar kryeministri Zaev dhe ministri i brendshëm, Spasovski.
Numri një i MPB-së deklaroi se bëhet fjalë për 15 persona, prej të cilëve dy nuk janë më në territorin e vendit tonë, por sqaroi se kur bëhet fjalë për ekstradimin e që gjenden në territorin e Republikës së Maqedonisë, ato i procedon Ministria e Drejtësisë. Nga kjo e fundit sqarojnë shkurt se procedurat janë në rrjedhë dhe organet kompetente janë në komunikim të vazhdueshëm.
Kryeministri Zaev nga ana tjetër thotë se Maqedonia e Veriut respekton standardet ndërkombëtare dhe këtë Turqia e di fare mirë. Sipas tij, nëse ekziston çfarëdo lloj dëshmie, ne do të veprojmë për çka do qoftë. Dihet si është proceduar për ekstradim, për veprim nëse bëhet fjalë për terrorizëm ose çka do qoftë. Kërkesën për arrestimin dhe ekstradimin e pjesëtarëve të FETO-s, ministri turk ua paraqiti edhe autoriteteve kosovare.
