Maqedoni

Zaev për Ligjin për Prokurorinë Speciale: Do miratohet para raportit të KE-së

05.04.2019 17:48

Propozim Ligji për Prokurorinë Publike, i cili sanksionon edhe Prokurorinë Speciale....

Propozim Ligji për Prokurorinë Publike, i cili sanksionon edhe Prokurorinë Speciale, mund të miratohet edhe para përfundimit të zgjedhjeve presidenciale. Kryeministri, Zoran Zaev, njoftoi se ka përparim në bisedimet me opozitën maqedonase dhe se ky Ligj së bashku me pakon e ligjeve të tjera për të cilat është arritur marrëveshje politike me opozitën, mund të miratohen gjatë muajit prill, ose në fillim të majit. Intenca është që miratimi i këtyre ligjeve të përfshihet në Raportin e Progresit dhe vendi të fillojë negociatat me BE-në. 
 
“Do të ishte mirë të miratohej para zgjedhjeve, pasi kjo nënkupton se do të shfrytëzonim muajin prill dhe do të evitonim keqpërdorimin e kësaj çështje nëpër tubime. Kjo është zgjidhje sistemore. Bëhet fjalë për një nga ligjet më të rëndësishme për reformat në gjyqësi, prandaj ky debat është hapur kot. Besoj se do të arrihet marrëveshje”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Mirëpo opozita maqedonase vlerëson se vendi nuk do të marrë datën për fillimin e negociatave dhe se pushteti po përpiqet t’ia hedh fajin VMRO -DPMNE-së.   
 
“Loja që bën Zoran Zaev me Prokurorinë Publike, duke e parashtruar 5 në 12, është e qëllimshme, pikërisht për atë se ai ka qenë i vetëdijshëm se nuk do të marrim datën dhe përpiqet të nxirret me opozitën, duke e etiketuar si fajtor kryesor për mosmarrjen e datës për fillimin e negociatave”,- theksoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.
 
Propozim Ligji për Prokurorinë Publike, i cili rregullon statusin e Speciales, pritet të miratohet me konsensus të gjerë politik, ashtu siç u miratua Ligji për Prokurorinë Publike Speciale. Sipas kryeministrit Zaev, opozita shqiptare dhe grupi i pavarur i tetë deputetëve të VMRO-DPMNE-së, në parim janë pro ndryshimeve, por kanë udhëzuar atë që fillimisht të dakordohet me pjesën më të madhe të opozitës së kryesuar nga VMRO-DPMNE.      
 
SHPËTIM NUREDINI