Botë
Incident në takimin e OKB-së në Tiranë, serbët refuzojnë të ulen në tryezë me Kosovën
05.04.2019 18:18
Një incident diplomatik ka ndodhur paraditen e sotme në Tiranë....

Delegacioni serb nuk ka pranuar të ulet në të njëjtën tryeze me delegacionin e Kosovës, të kryesuar nga ministri i mjedisit, Fatmir Matoshi. Shkak për këtë është bërë fakti se tryeza organizohej nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Kosova nuk është anëtare me të drejta të plotë të kësaj organizate. Kësisoj, Kosova mund të marrë pjesë në tryeza të saj vetëm me përfaqësues nën siglën e UNMIK-ut, misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Ministri i Mjedisit të Shqipërisë, Blendi Klosi, ka sqaruar se e ka ftuar ai ministrin kosovar. Ndërsa ky i fundit tha se Kosova nuk do të pranojë të ulet në asnjë tryeze nën siglën e UNMIK-ut.
“Aktiviteti është i organizuar nga OKB. Shqipëria është vend mikpritës. Unë ftova ministrin Matoshi. Ne do të vazhdojmë bisedimet bilaterale me donatorët. OKB dhe donatorët e pranuan Kosovën si pjesë e këtij diskutimi. Ne bëmë ftesën si ministri shqiptare, se është e palogjikshme që në një aktivitet për rajonin Kosova mos të jetë pjesë e diskutimeve. Kishim dakordësi me OKB-në dhe me Serbinë sa i përket zhvillimit të aktivitet, prezencës së Kosovës si i ftuar special”,- deklaroi ministri i mjedisit të Shqipërisë, Blendi Klosi.
"Ajo që ka ndodhur sot ka të bëjë me rregulla strikte të përcaktuara të Kombeve të Bashkuara, që kërkojnë që Kosova të jetë e përfaqësues nën siglën e UNMIK-ut, ose persona të qeverisë ose të shoqëruar nga pjesëtarë të UNMIK-ut, gjë që është e papranueshme për ne. Nuk ka askënd tjetër që mund të vendosë për vendin tonë. I thashë dhe zyrtarëve të OKB-së, që askush nuk duhet të ëndërrojë që do të ketë mjedis të pastër, nëse një vend mund të përjashtohet nga tryeze”,- tha ministri i mjedisit te Kosovës, Fatmir Matoshi.
Konferenca ministeriale "Aksioni rajonal mbi Klimën në Ballkanin Perëndimor" ka vijuar në nivel zëvendësministrash dhe ekspertesh. Në të morën pjesë edhe delegacione nga Maqedonia, Mali i Zi, përfaqësues të lartë përgjegjës për mjedisin dhe klimën në rajon, si dhe donatorë.
LULJETA NDOKA
