GRUEVSKI-BERLIN

Gruevski: Kam qëllim të qartë te Gjermania dhe KE-ja

29.08.2014 16:51

Pas Samitit Gjermani–BE–Ballkani Perëndimor, që u mbajt në Berlin, kryeministri, Nikolla Gruevski, potencoi se ka ftuar Gjermaninë dhe Komisionin Evropian, që më shumë të ndikojnë në lehtësimin e zgjidhjes së problemeve të ndryshme.....

Pas Samitit Gjermani–BE–Ballkani Perëndimor, që u mbajt në Berlin, kryeministri, Nikolla Gruevski, potencoi se ka ftuar Gjermaninë dhe  Komisionin  Evropian, që më shumë të ndikojnë në lehtësimin e zgjidhjes së problemeve të ndryshme me të cilat ballafaqohen shtetet e rajonit. Si përparësi  është përmendur zgjidhja e çështjes së emrit, e cila është shkak për stagnimin e Maqedonisë në rrugën e saj euroatlantike.

“Takimin e vlerësoj si mjaft të mirë. Kemi pasur dy orë takim me gjashtë kryeministrat e vendeve të Evropës Juglindore, me kancelaren gjermane, Angela Merkel, në të cilin unë së paku dy herë kam diskutuar në fushën politike dhe atë ekonomike. Në pjesën politike për Maqedoninë, kryesisht është përmendur për problemin që kemi të hapur me fqinjin jugor para më shumë se 20 viteve. Praktikisht ajo ishte çështja e vetme që është përmendur në pjesë e politikës dhe është theksuar se është mirë sa më shpejtë të zgjidhet ky problem, për shkak se ky është problemi kryesor pse Maqedonia nuk ka filluar bisedimet për anëtarësim në BE dhe kjo nuk është sekret”- deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.

Gruevski, më tej shtoi se ka diskutuar edhe për projektet ekonomike dhe për planet zhvillimore të Maqedonisë.

“Te ne po ndërtohen tre autostrada në tre drejtime të ndryshme, pjesë të korridoreve. I përmenda edhe planet e ardhshme, siç është  rruga hekurudhore drejt Shqipërisë, për të cilën tanimë janë ndarë mjete edhe nga fondet IPA”- theksoi Gruevski.

Sipas Gruevskit,  fqinji jonë jugor nuk është i gatshëm të bisedojë për gjetjen e një zgjidhjeje për shkak të problemeve tjera që ata i përmendin edhe  pse ishte treguar shpresë se do të punohet më shumë në periudhën në vazhdim, ka thënë kryeministri Gruevski. Në takim është bërë fjalë edhe për nevojën e krijimit të një klime të mirë afariste, sepse ekonomitë nuk mund të lëvizin përpara vetëm  me projekte infrastrukturore. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)