EKONOMI

OIRI nga Turqia, paralajmëron investime në Maqedoni

29.08.2014 16:57

Gjatë forumit të organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë dhe Oda Industriale Rajonale e Ispartës nga Turqia, kompanitë turke kanë treguar interes më të madh për investime në sferën e bujqësisë, industrisë së drurit dhe ndërtimtarisë......

Në këtë forum, ku të pranishëm ishin biznesmen nga 30 sfera të ndryshme, u tha se fillimisht duhet të vendosen kontakte direkte me kolegët e Maqedonisë dhe më pas bashkërisht të definohen sferat e mundshme për bashkëpunim ekonomik.

“Për herë të parë vijmë në Maqedoni dhe kjo është mundësi e mirë për tu njoftuar, ka kapacitet për bashkëpunim, por dëshirojmë të vendosim kontakte për arsye se ju konsiderojmë miq. Më pas edhe ju duhet të vini në Turqi dhe drejtë për së drejti t’i shihni mundësitë dhe të analizoni mundësitë tona”- deklaroi Shukru Bashderigmen nga Oda Industriale Rajonale e Ispartës.

Sipas tij, qëllimi i Ispartës është që eksporti i tanishëm, i cili mban vlerën 234 milion dollarë, të dyfishohet në 500 milion deri në vitin 2025, ndërsa duhet të rritet edhe këmbimi tregtar me Maqedoninë.

Jelisafeta Georgieva nga Oda Ekonomike e Maqedonisë, potencoi se eksporti i vendit në këtë rajon, në këto momente është 80 milion dollarë, ndërsa gjatë 6 muajve të parë të këtij viti, Turqia është partneri i tetë në këmbimin tregtar me Maqedoninë.

Sipas Georgieves, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është vërejtur rritje e këmbimit tregtar për 18,8 % , ku rritje shënojnë edhe eksporti edhe importi i Maqedonisë. (Besim Abdullai, TVM2)