Shpresa të reja për Ballkanin në BE
Konkluzionet e dala nga Samiti i Berlinit, obligojnë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor që problemet e pazgjidhura në dekadën që lamë pas, t’i tejkalojnë në mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Kështu i komentojnë njohësit e politikave të jashtme dhe analistët politik, qëndrimet e theksuara nga liderët evropian në Berlin.
Ylber Sela, vlerëson se kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor deri më tani nuk kanë realizuar kërkesat e faktorit ndërkombëtar, sa i përket procesit eurointegres të tyre në tejkalimin e problemeve bilaterale.
“Konferencën në Berlin, unë e shoh më tepër një përgjegjësi për liderët ballkanik më tepër për shqiptarët, ku tani po shihet se do e marrin liderizmin e Ballkanit, duke e parë kryeministrin Rama. Jam optimist se në këtë periudhë katërvjeçare që është caktuar dhe liderët e Ballkanit Perëndimor kanë marrë përgjegjësi që t’i zgjidhin këto probleme dhe mandej të vijmë deri te situata që të gjithë e duan, të bëhemi pjesë e BE-së”- deklaroi drejtori i Institutit për Studime Politike, Ylber Sela.
Analisti politik nga Shqipëria, Afrim Krasniqi, thotë se konkluzionet e Berlinit janë një mundësi e mirë për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë, nëse miratohen dhe intensifikojnë bashkëpunimin mes tyre.
“Si për Maqedoninë, Shqipërinë dhe Kosovën kishte një tregues jashtëzakonisht pozitiv dhe është një shans i madh nëse palët arrijnë ta përdorin me ritmin e duhur dhe me ato standarde që u kërkuan nga kancelarja Merkel, të ketë projekte të përbashkëta, të ketë dialog, të ketë bashkëpunim rajonal dhe të ketë projekte të përbashkëta dhe takimet të jenë më të shpeshta”- theksoi analisti, Afrim Krasniqi.
Ylber Sela, pret angazhim më të madh të liderëve evropian sa i përket tejkalimit të kontestit të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë.
Edhe Afrim Krasniqi thotë se në këtë konferencë pati një qasje shumë serioze ndaj çështjes së kontestit të emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë. Sipas tij, shqiptarët si shtet-formues vazhdojnë të vuajnë çështjen e mbajtjes peng të Maqedonisë, si rezultat i kontestit të pazgjidhur të emrit me Greqinë. (Afrim Tanallari, TVM2)
