Botë

Trazira në Libi, luftimet arrijnë Tripolin, 21 të vdekur sipas OKB-së

08.04.2019 12:05

Qeveria e Libisë e mbështetur nga OKB thotë se 21 persona janë vrarë dhe 27 të tjerë janë plagosur në luftimet afër kryeqytetit të vendit, Tripoli....

Mes viktimave raportohet se është edhe një mjek i Gjysmëhënës së Kuqe. Ndërsa forcat rebele raportojnë për të paktën 14 luftëtarë të humbur. Forcat rebele, nën drejtimin e gjeneral Khalifa Haftar, kanë avancuar në lindje me qëllim marrjen e Tripolit.
 
Kryeministri, Fayez al Serraj, e ka akuzuar atë se po tenton të çojë deri në fund një grusht shteti dhe thotë se rebelët do të përballen me forcë. Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të luftimeve dhe fillimin e bisedimeve.
 
Edhe OKB kishte bërë apel për një armëpushim 2-orësh në mënyrë që të lënduarit dhe civilët të mund të evakuoheshin, por luftimet vazhduan. Fuqitë ndërkombëtare kanë nisur evakuimin e personelit nga Libia në mesin e situatës së rënduar të sigurisë. Libia përballet me dhunë dhe destabilitet politik që kur ish-sundimtari, Muamar Gaddafi, u rrëzua dhe u vra në 2011.