Kokaina pushton detin, shkakton operacion masiv policor
Policia në Rumani ka nisur kërkimet përgjatë bregdetit të Detit të Zi....

Policia në Rumani ka nisur kërkimet përgjatë bregdetit të Detit të Zi, pasi një sasi prej 130 kilogramësh kokainë u gjet në breg. Sipas BBC, rreth 300 oficerë policie dhe 14 anije të rojes bregdetare po patrullojnë të gjithë vijën bregdetare, pasi që prej së premtes u gjetën disa pako me lëndë narkotike, të dala nëpër vende të ndryshme.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i hapin pakot, në rast se gjejnë një të tillë.
Romania thuhet se është pjesë e një rruge tranzit e trafikut të drogës që lidh Amerikën Latine dhe Europën. Pakot besohet se janë pjesë e një dërgese prej të paktën 1 ton kokaine, që u gjet në një anije të braktisur rreth 2 javë më parë. Për rastin në fjalë u prangosën dy serbë.
Të dielën, policia konfirmoi gjithashtu se në operacionin e kërkimit për lëndën narkotike janë angazhuar edhe dy helikopterë, disa anije e zhytës. Mediat vendase raportuan se kërkimi është shtrirë në një hapësirë prej rreth 90 kilometrash të vijës bregdetare.
Në 2016-n, policia rumune sekuestroi 2.5 ton kokainë me vlerë të paktën 600 milionë euro. Kokaina, e cila kishte destinacion Holandën, ishte fshehur brenda kontenierëve të bananeve./tvklan.al
