Takimet punuese "BE-IPA, Koordinime Institucionale"
Në pritje të raportit të vjeshtës të Komisionit Evropian, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi, i shoqëruar nga të punësuarit e sektorëve për IPA dhe eurointegrime, realizoi vizitë pune në Ministrinë e Drejtësisë, ku u takua me ministrin, Adnan Jashari dhe me përfaqësues të kësaj Ministrie.

Siç thuhet në kumtesën zyrtare, në takim u bisedua për shkallën e realizimit të reformave në gjyqësor, me rëndësi kyçe për procesin eurointegrues të vendit dhe janë pjesë e aktiviteteve të parapara me Programin Nacional për Miratimin e të Drejtës së Bashkimit Evropian (NPAA) dhe Planit të Veprimit për Aderimin e Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian.
Zëvendëskryeministri, Besimi dhe ministri, Jashari, gjatë takimit theks të veçantë vendosën mbi përpjekjet për implementimin e reformave, me qëllim të avancimit të efikasitetit dhe pavarësisë së sistemit gjyqësor, posaçërisht përmes përcaktimit të kritereve të reja për emërtimin dhe shkarkimin e gjykatësve dhe prokurorëve publikë, si dhe avancimin e cilësisë të proceseve gjyqësore.
Gjithashtu, u bisedua edhe për përforcimin e kapaciteteve institucionale, përforcimin e aktiviteteve për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, lirinë e shprehjes dhe medieve, ndryshimet në Kodin Zgjedhor etj.
Në takim u bisedua edhe për shkallën e shfrytëzimit të mjeteve në dispozicion përmes instrumentit për ndihmë paraaderuese, IPA, tejet të rëndësishme për realizimin e reformave në sistemin gjyqësor.
Në kuadër të IPA 1, në periudhën prej vitit 2007 deri më vitin 2013, janë përgatitur gjithsej 15 projekte në vlerë prej rreth 17 milion euro. Shfrytëzues të këtyre mjeteve përveç Ministrisë së Drejtësisë janë edhe Gjykata Administrative, Akademia për Gjykatës dhe Prokurorë Publik, Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë, Këshilli i Prokurorëve Publik të RM-së, Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Prokuroritë Publike dhe të gjitha institucionet e tjera gjyqësore.
Besimi theksoi se duhet edhe më tej të kontribuohet në absorbimin më efikas të fondeve evropiane, që janë të dedikuara së pari për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, e pastaj janë me rëndësi të veçantë edhe për afrimin e vendit drejt Bashkimit Evropian, përmes investimit në zhvillimin socio-ekonomik, si dhe harmonizimin dhe zbatimin e legjislacionit të BE-së.
Takimet punuese "BE-IPA, Koordinime Institucionale" të zëvendëskryeministrit Besimi, do të vazhdojnë me të gjitha institucionet shfrytëzuese të fondeve IPA dhe implementuesve të NPAA, me qëllim të informimit të drejtpërdrejtë për të gjitha aspektet e shfrytëzimit të këtyre fondeve, duke pasur parasysh çështjet e programimit, zbatimit teknik, vëzhgimit, njoftimit, plotësimit të parakushteve për implementim të suksesshëm të projekt-programeve, kapacitetet institucionale dhe administrative, respektimin e procedurave për shfrytëzim të këtyre mjeteve, si dhe shqyrtimin e statusit të realizimit të aktiviteteve të parashikuara me NPAA. (Besim Abdullahu, TVM2)
