Zgjedhjet presidenciale 2019, Blerim Reka mbajti tubim në Kumanovë
Kandidati i pavarur për president, Blerim Reka, i shoqëruar nga kreu i Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela...

Kandidati i pavarur për president, Blerim Reka, i shoqëruar nga kreu i Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela, dhe i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, vazhduan fushatën zgjedhore në qytetin e Kumanovës.
Para kumanovarëve, Reka theksoi se me votën tuaj për president shqiptar do ta ndalojmë eksodin modern që ka kapluar Kumanovën, por edhe gjithë RMV-në.
“Do të mundohem që ta deprivatizoj shtetin, ta lirojmë shtetin nga gjendja e shtetit të kapur në mënyrë që të mos përfundojë në shtet të zbrazët. Politikat e deritanishme nuk i kanë kushtuar rëndësi këtij emigrimi modern, ato politika janë lavdëruar se po e ulin papunësinë, po, po e pashë unë në shpalljet e dyqaneve në Kumanovë, punë ka sa të duash, por nuk ka se kush punon, sepse gjithë kanë ikur në Evropë, ata u integruan para Maqedonisë në BE fizikisht, e shteti i tyre ende hapëron drejt BE-së. Kur erdha sot në Kumanovë isha i zhgënjyer, rrugët e zbrazëta, dyqane të mbyllura, shpallje në dritare kërkojmë punëtor, ku janë kumanovarët? A kanë ikur të gjithë? Kjo është trishtuese se ku ra Kumanova. Si ta ndalim eksodin, si t’i ndalim të rinjtë, kjo nuk bëhet me fjalë, kuptohet edhe ju duhet të jepni kontributin tuaj që të mos pranoni të jeni pjesë e skenareve të zbrazjes së Maqedonisë, kujtoj se me një politikë të mençur dhe me një bashkëpunim shtet-shoqëri, shtet-qytetarë, ne do të mund t’ia rikthejmë ardhmërinë atyre që kanë shkuar dhe t’i ndalim ata që mos të shkojnë. Çfarë republike shumëetnike mund të jetë ajo që ju paguani 100% tatim, mirëpo merrni vetëm 20% të të drejtave që u garanton kushtetuta, as kjo nuk është republikë shumetnike, republika shumetnike, si e parashikoj unë është republikë e të gjithëve dhe për të gjithë, të cilët i kanë të qasshme të gjitha funksionet shtetërore përfshirë edhe presidentin e shtetit”,- theksoi para kumanovarëve, Blerim Reka - kandidat i pavarur për president i RVM-së.
Para kumanovarëve, kreu i ASh-së, Ziadin Sela, dhe kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, edhe një herë theksuan se si shqiptarë jemi të detyruar që të votojmë për president shqiptar.
“Ka plot shqiptarë këtu në Maqedoni, ku janë shumicë absolute këtu, por edhe gjithandej, që besoj se një ditë ne kryetarëve të partive do të na pyesnin pse nuk na krijuat mundësinë që ta votojmë një shqiptar? E pra këtë mundësi dhe nderë po na jep gjithë shqiptarëve profesorë, Blerim Reka, që ne ta votojmë një shqiptarë është shumë e rëndësishme”,- u shpreh mes tjerash Ziadin Sela nga ASh.
“Ne u bashkuam që profesorin, Blerim Reka, ta përkrahim, për të na përfaqësuar me dinjitet në institucionet e këtij shteti dhe jorastësisht ne u bashkuam që t’ju japim mundësi shqiptarëve të RMV-së që të kenë mundësinë edhe të votojnë edhe të jenë të votuar”,- tha mes tjerash Bilall Kasami nga Lëvizja BESA.
Në përkrahje të kandidaturës së Blerim Rekës për president të RMV-së në këtë tubim mori pjesë edhe kreu i Lëvizjes “Vetvendosje”, Albin Kurti, i cili i ftoi shqiptarët që masovikisht të votojnë për Blerim Rekën. (Fatlum Aqifi, TVM2)
