Maqedoni

Rënia e natalitetit, VMRO: Do të mbetemi shtet pa popull, rinia po ikën

08.04.2019 18:14

VMRO-DPMNE akuzon qeverinë se po e kthen Maqedoninë në një shtet pa popull...

Enti Shtetëror i Statistikave tregoi se 2018 është viti më i keq demografik me vetëm 21.666 foshnje të lindura. 19% është rënia e shifrave të lindjeve për muajt e parë të 2019.
 
“Kjo është katastrofë demografike, rënie e tillë e lindjeve nën 20% nuk është regjistruar kurrë në histori. Maqedonia po zbrazet dhe njerëzit po largohen si kurrë më parë, nga Tetova, Gostivari, Shtipi, Manastiri  e Strumica. Largohen nga ajo që investuesit gjermanë e cilësojnë si zero politikë ekonomike qeveritare e që Banka Botërore e cilësoi si rritje më e ulët ekonomike në Ballkan”,- tha Vllatko Gjorçev nga VMRO-DPMNE.
 
Carovska: Po i ndjejmë pasojat e keqqeverisjes 10-vjeçare
 
Por ministrja për punë dhe politikë sociale, Mila Carovska, thotë se rënia e natalitetit në vend është pasojë e politikave të këqija ekonomike të së kaluarës, që detyruan të rinjtë të lëshojë vendin. 
 
“Tendenca e rënies së natalitetit është pikërisht në periudhën e qeverisjes së tyre, ne vetëm i ndejmë rezultatet e shpërnguljes së personave të rinj, që ka ndodhur gjatë 10 viteve të kaluara në pajtueshmëri me përqindjen e Bankës Botërore, gjysmë milion e popullatës e kanë lëshuar vendin”,- theksoi ministrja për punë dhe politikë sociale, Mila Carovska.
 
Carovska potencon se nëse politika nuk krijon kushte që nënat të lindin por të mos lënë anash karrierën e tyre, punë për të rinjtë që të mbesin në shtet e të marrin pagat që meritojnë, atëherë nataliteti do të vazhdojë të bjerë.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI