Maqedoni

Ligji për PSP-në, Zaev: “bombat” nuk do përdoren si dëshmi. Shtyhen bisedimet në grupet e punës, VMRO nuk ka qëndrim konkret

08.04.2019 18:35

Ministria e Drejtësisë ka pranuar që “bombat” e përgjimeve të jashtëligjshme të mos përdoren si dëshmi...

Ministria e Drejtësisë ka pranuar që “bombat” e përgjimeve të jashtëligjshme të mos përdoren si dëshmi në lëndët e Prokurorisë Speciale që janë hapur pas 30 qershorit të 2017-s.
 
Kjo përfshihet në tekstin e ri ligjor për prokurori të përgjithshme, informon kryeministri,  Zoran Zaev, i cili thotë se “bombat” do të jenë dëshmi në procedurë vetëm për 18 lëndët që janë në procedurë gjyqësore.
 
Kryeministri  zbulon se Specialja do të funksionojë në kuadër të Prokurorisë së Përgjithshme, por me pavarësi financiare.
 
““Bombat” apo materialet nga përgjimi i jashtëligjshëm nuk do të jenë më dëshmi në procedurë në punën e mëtejme të prokurorive publike në vend. Në nenin 105, paragrafi 4, qëndron qartë se “bombat” nuk do të jenë më dëshmi në procedurë. Dëshmitë materiale sigurisht se do të jenë pasi që ato ekzistojnë dhe do të duhet të kenë fatin e vet. Kuptohet se Prokuroria Speciale do të jetë në kuadër të prokurorisë shtetërore me mëvetësinë financiare dhe përfaqësimin”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Ministria e Drejtësisë këtë version të ri të ligjit për Prokurori të Përgjithshme, ku përfshihet edhe fati i PSP-së, ia kanë dërguar përfaqësuesit të VMRO-së, Toni Menkinovkit, ndërkohë që sot e kanë ftuar për të vazhduar bisedimet në arritjen e marrëveshjes.
 
Menkinovski ka kërkuar shtyrjen e takimit, pasi akoma nuk është ndërtuar qëndrim konkret i partisë. Nga Ministria e Drejtësisë thonë se në tekstin ligjor janë përfshirë pjesë e amendamenteve të VMRO-së që nuk rrezikojnë procedurat dhe statusin e PSP-së.
 
“Në bazë të këtij materiali, VMRO-DPMNE do të duhet të ndërtojë qëndrim, duke pasur parasysh se qartë na është thënë se cilat janë kriteret për nisjen e bisedimeve dhe se heqje dorë prej atyre kritereve nuk ka”,- thonë nga Ministria e Drejtësisë.
 
Kryeministri Zaev pret që bisedimet në nivel të grupeve të punës të vazhdojnë nesër. Ai apelon në gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë pasi që afatet janë të shkurta, ku duhet të përmbyllet edhe procedura parlamentare.
 
Ligji për Prokurori Publike do të duhet të miratohet para fillimit të majit kur edhe përmbyllet raporti i Komisionit Europian për Maqedoninë.
 
MERAL ISMAILI