Maqedoni

Xhaferi realizon takime në Konferencën e parlamenteve të BE-së

09.04.2019 12:16

Kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në Vjenë, më 8 dhe 9 prill....

Kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në Vjenë, më 8 dhe 9 prill, merr pjesë në Konferencën e kryetarëve të Parlamenteve të Bashkimit Evropian, në të cilën përveç kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së, janë të ftuar edhe kryetarë të parlamenteve të vendeve kandidate për anëtarësim në BE dhe vende që marrin pjesë si mbikëqyrës. Kryetarët e përshëndetën përzemërsisht hyrjen në fuqi të Marrëveshje së Prespës, duke e vlerësuar si hap historik i cili paraqet shembull për pajtim në tërë rajonin. Ato e përshëndetën Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Greqisë për këtë arritje të rëndësishme.
 
Duke e pasur parasysh se kursi pro-evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor më së miri mbahet me avancim të dukshëm në procesin e aderimit, kryetarët e parlamenteve edhe njëherë e konfirmuan perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe angazhimet për zgjerimin e Bashkimit Evropian, si investim në paqen, demokracinë dhe sigurinë. Kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, realizoi edhe takim bilateral me nënkryetaren e Asamblesë Nacionale të Republikës së Francës, zonjën Biro Bonard dhe kryetarin e Komisionit për Çështje Evropiane në Senatin e Francës, z. Bize. Bashkëbiseduesit i vlerësuan marrëdhëniet bilaterale si të mira por u zotuan për bashkëpunim më intensiv në nivel të lartë në periudhën e ardhshme.
 
Kryetari Xhaferi informoi për miratimin e ligjeve të agjendës reformuese dhe kërkoi mbështetje për proceset eurointegruese. Nga pala franceze u shpreh sigurim se Franca do të vazhdojë ti mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor për arsye se konsideron se stabiliteti i tyre është thelbësor për Evropën, por do të insistojë në respektimin e përpiktë të kritereve për anëtarësim.