Maqedoni
Zgjedhjet presidenciale 2019, Blerim Reka mbajti tubim në Tearcë
09.04.2019 13:37
Kandidati për president, Blerim Reka, i shoqëruar nga lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela....

Kandidati për president, Blerim Reka, i shoqëruar nga lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, si dhe nga kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, vazhdoi fushatën e tij në Tearcë. I kemi hyrë së bashku këtij rrugëtimi dhe më 21 prill do të dalim fitimtarë, theksoi Reka, duke premtuar edhe rregullimin e statusit të ish ushtarëve të UÇK-së.
“Unë them republikë dhe jo shoqëri për të gjithë. Tani Maqedonia nuk është shtet për të gjithë. Si president dhe si komandant suprem do të angazhohem që NATO si garantues i Marrëveshjes së Ohrit të ndihmojë në resocializimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, për të cilët në një bisedë këtu nëpër Tetovë e kuptova se nuk kanë kushte të mira për jetesë. Askush nuk mund t’i shtyjë shqiptarët të votojnë kundër vetes, kundër një shqiptari”,- tha kandidati për president, Blerim Reka.
Votë për Rekën kërkuan edhe Sela dhe Kasami.
“Shqiptari e voton shqiptarin. Kurrën e kurrës nuk kam thënë që arnautët ua japin maqedonasve votën. Kam thënë se të gjithë shqiptarëve që nuk iu është bërë gjaku ujë votojnë për Blerim Rekën. Ne jemi këtu për t’ju treguar të gjithë shqiptarëve që partitë tjera nëse i thërrasin anëtarët e vetë të votojnë për kandidatin maqedonas, apo siç e quajnë kandidat të LSDM-së, që në fakt mundohen t’i dënojnë shqiptarët të votojnë për dikë që nuk është shqiptar”,- tha kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
“Prof. Blerim Reka na bëri krenarë sepse ne kemi kandidat shqiptar dhe ky është moment historik. Nga VMRO-ja thotë publikisht se nuk i duan votuesit shqiptarë, ndërsa LSDM-ja na thotë ju duam por si maqedonas. Prof. Reka na dha një mundësi që t’i themi jo këtyre padrejtësive”,- u shpreh kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
Sonte Reka shpalos platformën e tij para banorëve të Bogovinës.
SEDAT SELIMI
