Zgjedhjet presidenciale 2019, Siljanovska Davkova mbajti tubim në Kërçovë
Kandidatja për president nga VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska-Davkova....

Kandidatja për president nga VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska-Davkova, gjatë tubimit në Kërçovë premtoi se do të krijojë sistem politik evropian, duke shembur, sipas saj, regjimin hibrid të koncentruar në një pushtet ekzekutiv dhe demokraci joliberale.
Ajo ftoi qytetarët e Kërçovës që të bëhen të mençur dhe të mos lejojnë kryeministrin Zaev të zgjerojë forcën politike edhe në zgjedhjen e presidentit të shtetit në shtëpinë e legjislativit.
“Mendoj se është shumë me rëndësi të dilet në këto zgjedhje që të mos t’i lihet problemi censusit prej 40%. Kam frikë se nëse nuk arrijmë censusin, atëherë mundet presidenti të zgjidhet në parlament. Jam kritikuese e madhe për zgjedhjen e presidentit në parlament, sepse atëherë që të gjithë ju si votues nuk do të keni asnjë të drejtë në zgjedhje, por dy liderët e partive do ta zgjedhin, ndërsa 80 deputetët do të ngrenë dorën për votim. Unë besoj në mençurinë e qytetarëve se ai din të njohë jo vetëm parti, lider, por personalitet që do të dalë nga votuesit dhe do të punojë për ata. Do të kem fjalim në parlament jo vetëm njëherë, por shpesh herë kurdo që të konstatoj se interesat e rëndësishme të qytetarëve janë rrezikuar”,- tha kandidatja për president nga VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska Davkova.
Të gjitha problemet do të zgjidhen pas mbarimit të zgjedhjeve presidenciale dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ka thënë kreu VMRO-DPMNE-së, Mickovski, dhe për problemet aktuale, VMRO ka krijuar koncept politik.
“VMRO-DPMNE ka zgjidhje për ëndrrën tonë. VMRO po përgatit program zgjedhor të paparë deri më tani që përbëhet nga tri shtylla; e para, masa për rritjen e kualitetit të jetës së qytetarëve, e dyta - ekonomia, punësime të reja, arsim, shëndetësi, jetë dinjitoze për të pensionuarit, e treta - maqedonizmi, ta kthejmë maqedonizmin në Maqedoni dhe këtu nuk mendoj vetëm për maqedonasit, por për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, shqiptarët, turqit, romët, serbët, boshnjakët, vllehët, pra për të gjithë”,- theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Me presidenten e ardhshme, Davkova, në Maqedoni do të funksionojë politika demokratike, do të bëhen reforma të mirëfillta dhe do të delegjitimohet pushtetit aktual në të gjitha sferat, premtuan para simpatizantëve të Kërçovës nga VMRO-DPMNE. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)
