Maqedoni
Falja për “27 prillin”, Kostadinov: Ivanov s’mund të amnistojë të dënuarit; Stoillkovski: zbatohet drejtësi selektive në vend
09.04.2019 17:08
Presidenca pa informacion se si do të veprojë ndaj kërkesave për faljen e të dënuarve për ngjarjet e “27 prillit” në kuvend...

Ndërkohë që në opinion janë ringjallur përplasjet për kompetencat e presidentit, Gjorge Ivanov, për të falur të dënuarit, pasi, sipas ekspertëve, ai nuk mund të falë pa shtruar çështjen në Ministrinë e Drejtësisë.
Neni 11 i Ligjit për falje, i cili ka parashikuar faljen nga presidenti pa procedurë paraprake, është shfuqizuar nga viti 2009. Duke u bazuar në ligj, LSDM kundërshton faljen.
“Për ne e papranueshme është falja e njerëzve të cilët veç më janë të dënuar për rrënimin e rendit kushtetues. Gjithsesi, në përputhje me ligjin, presidenti, Gjorge Ivanov, nuk mund të falë pa ndonjë procedurë paraprake në Ministrinë e Drejtësisë. As në fushatë kjo procedurë nuk mund të realizohet”,- tha zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
Nga VMRO-DPMNE nuk komentoj kërkesat për falje, por ripërsërisin qëndrimin për zbatimin e drejtësisë selektive në vend.
“Nuk do t’i komentoj kërkesat e dorëzuara, vetëm do të them se VMRO-DPMNE deri më tani është shprehur për keqpërdorimin e pozitës, sistemin e drejtësisë, siç thoshte kryeministri në drejtim të sigurimit të shumicës prej dy të tretave, për nevojat e tij”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.
Ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, ditë më parë është shprehur se falja mund të realizohet vetëm nëpërmjet dikasterit që ajo drejton, por që ende nuk ka pranuar asnjë kërkesë për falje.
Për dhunën në kuvend 16 persona u dënuan me gjithsej 211 vite burg. Dënimin më të lartë prej 18 viteve e morri ish drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov, ndërkaq të tjerët u dënuan prej 8 deri në 15 vite burg.
Familjarët e të dënuarve, javën e kaluar deri tek presidenti, Gjorge Ivanov, dorëzuan 14 kërkesa për falje.
MERAL ISMAILI
