Maqedoni

Statusi i PPS-së, vazhdojnë negociatat larg syve të opinionit

09.04.2019 17:43

Pushteti dhe opozita vazhdojnë bisedimet rreth projektligjit për Prokurorinë Publike...

Pushteti dhe opozita vazhdojnë bisedimet rreth projektligjit për Prokurorinë Publike, me të cilin sanksionohet statusi i Prokurorisë Speciale, por larg syve të opinionit.
 
Ministria e Drejtësisë por edhe vetë partitë përkatëse njoftuan se të hënën në mbrëmje janë takuar grupet punese.
 
Jozyrtarisht mësohet se grupeve punuese u është bashkangjitur edhe kryeministri Zaev dhe kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski. 
 
“Dje, më 8 prill 2019, u mbajt takim në të cilin u shqyrtua teksti i fundit ligjor për Prokurorinë Publike. Meqë dallimet kryesore mbeten, dy palët u pajtuan që konsultimet për ligjin të vazhdojnë”,- thuhet në kumtesën e Ministrisë së Drejtësisë.
 
Edhe VMRO-DPMNE në opozitë nuk zbulon detaje. Është rënë dakord që bisedimet të mos transmetohen në opinion, për të evituar kështu betejën mediatike.
 
“Nuk do të kisha komentuar se deri ku dhe si është teksti. Bisedimet po vazhdojnë në drejtim të arritjes së një teksti cilësor të një propozim ligji të qëndrueshëm i cili do të përkrahet nga opozita në korniza të zgjidhjes afatgjate në sistemin e Prokurorisë Publike. Grupet negociuese mes opozitës dhe pushtetit hartojnë propozim ligjin për sistemin e prokurimit publik”,- theksoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski.
 
Sipas LSDM-së, grupi negociues i VMRO-DPMNE-së vazhdon të marrë udhëzime nga ish kryeministri, Nikolla Gruevski, prandaj ka edhe kërkesa që nënkuptojnë amnisti.
 
“Si parti e përgjegjshme, si politikanë të përgjegjshëm. gjithmonë kemi dhënë dhe do t’i japim mundësi dialogut për të arritur konsensus rreth ligjeve të tilla të mëdha dhe të rëndësishme për vënien e shtetit ligjor, normal që bisedohet edhe për situata të tilla, por kemi parasysh se ajo nuk guxon të shkojë në dëm të shtetit ligjor”,- theksoi zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
 
Ministria e Drejtësisë u rekomandon palëve që t’i japin prioritet perspektivës evropiane të vendit, të marrin parasysh rekomandimet e KE-së dhe Bashkësisë ndërkombëtare, të cilat janë kusht për fillimin e negociatave me BE-në.
 
SHPËTIM NUREDINI