Botë
Palmer në Tiranë: qeveria është legjitime, opozita të përfshihet në proceset demokratike
09.04.2019 17:56
Zëvendës-ndihmës-sekretari amerikan i shtetit, Matthew Palmer, deklaroi sot në Tiranë që qeveria është legjitime...

Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Tiranë, gjatë një takimi me gazetarët, Palmer tha se do të ishte fatkeqësi nëse opozita nuk merr pjesë në zgjedhjet e qershorit.
“Qeveria është legjitime. Ne do të vijojmë bashkëpunimin dhe kam besim se kjo qeveri do ta çojë vendin përpara drejt Europës. Për këtë duhet të vijojnë edhe reformat, për më tepër ajo në drejtësi”,- u ka thënë Palmer gazetarëve.
Palmer ka deklaruar se të gjitha partitë duhet të marrin pjesë në zgjedhjet e qershorit dhe se do të ishte një fatkeqësi nëse opozita nuk do të marrë pjesë.
“Opozita duhet të ketë një platformë politike atraktive, kandidatë të fortë që të fitojë zgjedhjet. Ajo duhet të ndajë vizionin e saj me mbështetësit”,- tha Palmer.
Pas takimit me gazetarët, zyrtari i DASh-it iu drejtua selisë blu, ku për rreth një orë diskutoi me kreun e opozitës, Lulzim Basha, i cili në dalje nuk preferoi të komentonte përmbajtjen e diskutimit.
Por burime nga kjo seli bëjnë me dije se Palmer nuk e ka kundërshtuar agjendën e opozitës por e ka vlerësuar si të dëmshme daljen nga Parlamenti, pasi krijon precedent që mund të imitohet nga opozitat e vendeve të rajonit, si Serbia apo Mali i Zi.
Kryedemokrati nga ana e tij ndau një status në rrjetin social Tuitter ku shkruan se ka pasur një diskutim të hapur dhe konstruktiv me zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi situatën në vend, ku mungon Gjykata Kushtetuese, ajo e lartë, ku mbizotëron pandëshkueshmëria, krimi, korrupsioni dhe kriza politike.
Pamer është takuar edhe me kryeministrin presidentin, Ilir Meta, kryeministrin, Edi Rama, dhe kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhin.
LULJETA NDOKA
