Maqedoni
Dimitrov dhe Osmani në Berlin, kërkojnë mbështetjen gjermane për negociatat
09.04.2019 18:23
Shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov, po qëndron për vizitë në Berlin, ku ka takuar grupin e deputetëve për politikë të jashtme të CDU/CSU-së në Bundestagun gjerman...

Ai në këtë takim ka theksuar suksesin e arritur në marrëdhëniet me fqinjët, para së gjithash përmes marrëveshjeve me Greqinë dhe Bullgarinë, por edhe për rezultatet e reformave dhe pritjet e vendit në drejtim të marrjes së vendimit për fillimin e negociatave inkuadruese në qershor të këtij viti.
“Qëllimi është që të japim argument se pse suksesi i Maqedonisë së Veriut patjetër të valorizohet dhe pse suksesi ynë është sukses edhe për Ballkanin edhe për BE-në, sepse nuk e kemi luksin të mos shfrytëzojmë gjasat dhe të mos zgjidhim problemet, ndërsa sot shteti ynë është mundësi edhe për procesin qasës, edhe për politikën e BE-së ndaj Ballkanit dhe tërë rajonin”,- tha Nikolla Dimitrov nga MPJ.
Deputetët e CDU-CSU-së kanë vlerësuar se pas hapit të guximshëm në tejkalimin e kontestit me Greqinë, Maqedonia e Veriut e ka mbështetjen e tyre të plotë për anëtarësim në NATO dhe afrimin në drejtim të BE-së.
Dimitrov vazhdon vizitën me takimin e përfaqësuesve të Zyrës së kancelares gjermane, Angela Markel. Ndërsa të mërkurën së bashku me zëvendëskryeministrin, Bujar Osmani, do t’i drejtohen Komisionit për çështje evropiane në Bundestag ku do ta prezantojnë progresin dhe gatishmërinë e vendit për fillimin e negociatave inkuadruese me Bashkimin Evropian.
Ndërsa janë paraparë edhe takime me ministrin për Evropë, Mihail Roth, dhe lideren e re të CDU-së, Anegret Kramp-Karenbauer.
REJHAN BUSHI METAJ
