BDI i ofron dorën e pajtimit PDSH-së
Partia e Ahmetit, ofron pajtimin për të pamundësuar keqpërdorimin e mundshëm të situatës nga subjektet politike për nevojat e politikës ditore....

Bashkimi Demokratik për Integrim, i ofron Partisë Demokratike Shqiptare pajtim dhe dialog konstruktiv, për të tejkaluar situatën pas rrahjes së deputetëve në Kuvendin Republikan edhe pse, siç thekson deputeti, Artan Grubi, konflikti u nis nga deputeti i PDSH-së.
Partia e Ahmetit, ofron pajtimin për të pamundësuar keqpërdorimin e mundshëm të situatës nga subjektet politike për nevojat e politikës ditore.
“BDI, konsideron që ka dy mënyra se si të tejkalohet kjo situatë e pakëndshme, e cila nuk na bën nder ne si deputet shqiptarë, por edhe gjithë qytetarëve në Republikën e Maqedonisë. Mënyra e parë për ta tejkaluar këtë incident të pahijshëm është që ta përdorim dhe ta keqpërdorim, duke abuzuar në mënyrë të përditshme për nevoja të politikës ditore të partive politike në vend, siç u bë dje nga PDSH. Ndërsa mënyra e dytë për ta tejkaluar këtë problem është që personat të cilët e nxitën këtë incident dhe personat të cilët morën pjesë në përleshjen fizike në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, t’ia shtrojnë dorën e pajtimit njëri-tjetrit dhe këtë mënyrë e përkrah BDI dhe jemi të gatshëm që të ulemi dhe të bisedojmë nëpërmjet dialogut konstruktiv”- deklaroi Artan Grubi nga BDI.
Një ditë më parë, kreu i PDSH-së, Mendu Thaçi, e cilësoi rrahjen si skenar i ndërtuar nga Ali Ahmeti dhe partia e tij, si një mënyrë për t’i mbyllur gojën opozitës. Pavarësisht që dhunën fizike e nisi deputeti i PDSH-së, Thaçi theksoi se incidenti erdhi pas sharjeve dhe ofendimeve që u iniciuan nga deputetët e BDI-së. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
