Kosovë, shënohet 20 vjetori i Betejës së Koshares
Kosova ka shënuar sot 20 vjetorin e Betejës së Koshares, e cila simbolizon edhe thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar...

Me këtë rast presidenti, Hashim Thaçi, dhe udhëheqës tjerë shtetërorë kanë bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Koshare.
Beteja e Koshares ka hapur një kapitull të ri në atë kohë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për lirinë, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, ka deklaruar me këtë rast Thaçi.
“Në radhët e këtyre angazhimeve për liri dhe pavarësi, për çlirim ishin bashkuar të gjithë. Ishin bashkuar të gjithë me një synim, me një qëllim, me një vizion, çlirimin përfundimtar të Kosovës nga sundimi për më tepër së njëshekullor i Serbisë”,- deklaroi Thaçi.
Ai po ashtu përkujtoi edhe masakrat që shteti i Serbisë ka kryer në Kosovë, përkatësisht 13 mijë e 500 civilë të vrarë, rreth 400 masakra anekënd Kosovës dhe rreth 20 mijë gra të dhunuara nga ushtria dhe policia e Serbisë.
