OBAMA AKUZON RUSINË

Obama: Rusia është përgjegjëse për Ukrainën

29.08.2014 18:49

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, akuzojnë Rusinë për situatën dhe dhunën në Lindje të Ukrainës.....

Presidenti amerikan, Barack  Obama, duke u  bazuar në pamjet satelitore, thotë se luftimet në këtë zonë nuk janë pasojë e një kryengritjeje të brendshme, por vijnë si pasojë e përfshirjes së thellë të Rusisë. Ai fajësoi Moskën për përshkallëzimin e situatës. Këtë vlerësim e ka dhënë edhe kryeministri i Australisë, se separatistët janë stërvitur nga Rusia.

“Nuk ka më asnjë dyshim se kjo nuk është më një kryengritje e brendshme. Separatistët janë të stërvitur, të armatosur dhe të financuar nga Rusia. Ajo  vazhdimisht ka shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe fotot e reja të trupave ruse brenda vendit i mundësojnë botës që të shohë situatën reale”- deklaroi presidenti i SHBA–ve, Barack Obama.

“Kjo që e bën Rusia është invazion  dhe është më se e qartë se forcat pro-ruse  janë duke u shpërngulur përtej kufijve. Ne e dënojmë këtë veprim dhe konstatojmë se kjo që po ndodh në Ukrainë është agresion  i Rusisë,  i  cili  ka për qëllim të tregojë vetëm  pushtet”- theksoi kryeministri i Australisë, Tonz  Aboot.

Për krizën në Ukrainë do të diskutohet bashkë me liderët evropian edhe në Samitin e NATO-s që mbahet javën e ardhshme në Mbretërinë e Bashkuar.

Rasmusen, i bëri thirrje Rusisë që t’i ndërpresë  të gjitha aktivitetet luftarake ndaj Ukrainës.

“Rreptësisht e dënojmë mosrespektimin e rregullave ndërkombëtare që bëhen  muajve të fundit nga ana e Rusisë. Ne i bëjmë thirrje Rusisë që t’i ndërpresë   të gjitha veprimet luftarake jolegale dhe mos të japë më asnjë lloj mbështetje ndaj  separatistëve”- tha Andres Fog Rasmusen nga NATO.

Në këtë takim, i pranishëm do të jetë edhe shefi i Shtëpisë së Bardhë, presidenti Obama. Tani për tani nuk  ka informata  nga Shtëpia e Bardhë  se a do të  përgatitet një përgjigje ushtarake ndaj Rusisë. Obama nuk dha përgjigje të saktë rreth kësaj çështje, por konstatoi se Rusia do të paguaj më shumë kosto dhe pasoja për veprimet e saj në Ukrainë. 

Në një raport të ri të Kombeve të Bashkuara, sot raportohet se në konfliktin luftarak në pjesën lindore të Ukrainës janë vrarë  afro 2.600 persona ukrainas nga ana e separatistëve pro- rusë.( Rexhep Qamili, TVM2)