Botë

OKB, shtyhet konferenca e paqes për Libinë

10.04.2019 11:56

I dërguari special i Kombeve të Bashkuara, Ghassan Salame, ka paralajmëruar se konferenca e paqes për Libinë...

I dërguari special i Kombeve të Bashkuara, Ghassan Salame, ka paralajmëruar se konferenca e paqes për Libinë e planifikuar për javën e ardhshme mund të shtyhet, për shkak të vazhdimit të luftimeve mes forcave rivale. Sipas tij, konferenca do të mbahet sapo të lejojnë kushtet.
 
“Nuk mund të kërkojmë nga njerëzit pjesëmarrjen në konferencë derisa po vazhdojnë luftimet dhe sulmet ajrore”, ka thënë Salame. OKB-ja kishte planifikuar të mbante një konferencë në qytetin jugperëndimor Ghadames nga 14-16 prill për të diskutuar një rrugëdalje nga konflikti tetë-vjeçar në Libi.
 
Forcat e Ushtrisë Kombëtare të Libisë, grup që udhëhiqet nga gjenerali Khalifa Haftar, nisën një ofensivë të enjten e kaluar, me qëllim marrjen e kontrollit të Tripolit nga Qeveria e kryeministrit Fayez al-Serraj, e cila mbështetet nga OKB-ja. Libia është shkatërruar nga dhuna dhe paqëndrueshmëria politike prejse sunduesi Muammar Gaddafi është rrëzuar nga pushteti dhe është vrarë në vitin 2011.