Botë
Bllacë 1999-2019, 20 vjet nga eksodi i shqiptarëve të Kosovës
10.04.2019 13:10
Treni erdhi në Bllacë i stërngarkuar me shqiptarë të Kosovës të nxjerrë me dhunë....

Treni erdhi në Bllacë i stërngarkuar me shqiptarë të Kosovës të nxjerrë me dhunë nga shtëpitë e tyre nga forcat serbe, në pranverën e vitit 1999. Treni u nis nga Fushë Kosova drejt kufirit të Maqedonisë, në javën e parë të prillit. Pas bombardimit të NATO-s mbi caqet ushtarake të ushtrisë serbe në ish Jugosllavi më 23 mars. Ushtria serbe u kundërpërgjigje me shpejtësi duke përzënë shqiptarët civilë të Kosovës. Eksodi masiv shënoi kulmin e krizës në Kosovë dhe Bllaca u bë epiqendra e vuajtjes.
Derisa qëndronin në Bllacë, shqiptarët regjistruan vuajtje, vdekje, uri, të ftohtë, trysni psikike etj… Shtatë ditë në qell të hapur. Të rrethuar nga të dy anët me ushtarë qe mbanin të drejtuar pushkët drejt tyre, në gropën e Bllacës u luajt tragjedia më e madhe njerëzore që pas luftës së dytë botërore. Përveç kësaj u shtua edhe katastrofa humanitare, pikërisht në fund të shekullit të XX. Bllaca u bë vuajtja e vaji, Bllaca u bë “Muri i vajtimit” të shqiptarëve kosovarë.
E gjendur ngushtë nga vala e madhe e refugjatëve, Maqedonia me ndihmën e ndërkombëtareve i hapi dyert dhe pranoi gati gjysmë milioni njerëz. Në 7 prill 1999 Bllaca u boshatis. Shqiptarët u sistemuan nëpër kampet e refugjateve në Maqedoni dhe më pas u shpërndanë me avione nëpër të gjithë botën.
Bllaca është metaforë e holokaustit shqiptar në fund të shekullit të XX. Ngjarja e eksodit të paprecedent të shqiptarëve kosovarë bëri që të ndryshojnë gjithë politikat globale.
MERITA ÇOÇOLI
