Maqedoni

Pavarësia e rregullatorit të mediave, ASHMAA: Qeveria nuk i respekton rekomandimet

10.04.2019 14:29

Pas vendimit të Qeverisë që të kthejë për rishqyrtim Strategjinë rregullatore për zhvillim...

Pas vendimit të Qeverisë që të kthejë për rishqyrtim Strategjinë rregullatore për zhvillim të veprimtarisë audio dhe audio-vizuele në 5 vitet e ardhshme, me arsyetimin se e njëjta që nuk është harmonizuar me dokumentet tjera strategjike, kanë reaguar nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, nga e cila thonë se Qeveria nuk po i respekton rekomandimet e Brukselit për pavarësinë e rregullatorit për mediat. Qeveria po i tejkalon kompetencat e saj dhe vepron në kundërshtim me rekomandimet e raporteve të Komisionit Europian dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës, për garantimin e pavarësisë së trupave rregullatorë në fushën e mediave, thonë nga ASHMAA.
 
Në rekomandimin kyç të Këshillit të Evropës për pavarësinë dhe funksionimin e trupave rregullatorë, theksohet se autoritetet publike nuk guxojnë të ndikojnë në pavarësinë e rregullatorëve mediatikë. Qëllimi bazë i këtyre rekomandimeve, potencojnë nga Agjencia, është të parandalohen pikërisht këto ndërhyrje të pushtetit ekzekutiv në punën e rregullatorëve.
 
Nga ASHMAA sqarojnë se Strategjia është dorëzuar në Qeveri, Kuvend dhe Ministrinë e Administratës Publike, jo për miratim, por si informacion për gjendjet rrjedhëse në sferën mediatike, si dhe për aktivitetet që do t’i ndërmarrë Agjencia në pesë vitet e ardhshme, në drejtim të përmirësimit të aspekteve të caktuara në fushën e mediave. Kjo strategji nuk është e papajtueshme me, siç citon Qeveria, dokumentet tjera strategjike për zhvillim të kësaj fushe, marrë parasysh se dokumente të tilla nuk ekzistojnë, potencojnë nga ASHMAA.