Zgjedhjet presidenciale, Mehmeti: Përkrahja në baza etnike

10.04.2019 16:08

A kanë arritur kandidatët presidencialë deri në mesin e fushatës të përfitojnë qytetarët e të gjitha etnive...

A kanë arritur kandidatët presidencialë deri në mesin e fushatës të përfitojnë qytetarët e të gjitha etnive. “Jo”,- vlerësuan panelistët në “Argument” në TVM2. Për momentin përkrahja jepet sipas taborëve politikë apo etnikë e jo bazuar në programet që ofrojnë kandidatët.

“Ende nuk kemi arritur të zhvillojmë një kulturë kritike të mendimit kritik të përkrahësve të partive të cilët në një rast konkret do të thonë: shiko unë e përkrah këtë parti por jo edhe këtë program. Deri sa nuk ndodh kjo, do të kemi këso rezultate. Fatkeqësia është se fushata e Blerim Rekës nuk është e dizajnuar që të fitojë përkrahjen e votuesve maqedonas dhe kjo është ndoshta arsyeja kryesore, por për vetë faktin se jetojmë në një shoqëri të ndarë në baza etnike, kjo është pak problem”,- deklaroi analisti politik, Ibrahim Mehmeti.

RATKOCERI: SHQIPTARËT, VENDIMTARË NË RRETHIN E DYTË

Analisti, Arben Ratkoceri, thotë se edhe përkundër faktit se votimi në rrethin e parë do të bëhet në baza etnike, në rrethin e dytë votat shqiptare do të vendosin fituesin. Sipas tij, kandidatët po i marrin parasysh edhe anketat aktuale.

“Zoti Stevo Pendarovski nëse e bën diferencën nga zonja Gordana Siljanovska e VMRO-DPMNE-së e bën në bazë të votave të shqiptarëve, se te pjesa maqedonase Siljanovska është goxha para zotit Pendarovski. Marzha e gabimit është prej një deri në tre për qind. Dhe zoti Pendarovski jorastësisht një pjesë të madhe të fushatës së tij e ka orientuar edhe tek elektorati shqiptar, i cili do të jetë vendimtar në zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Maqedonisë”,- tha analisti politik, Arben Ratkoceri.

BAJRAMI: QYTETARËT TË PARAQESIN BLERJEN E VOTËS

Analistët druajnë nga fenomeni i blerjes së votës. Komisioni Anti-korrupsion optimist se ky fenomen mund të luftohet nëpërmjet krijimit të një fronti të gjerë, andaj ftojnë qytetarët që të paraqesin rastet.

“Le të trimërohen njerëzit, të mos rreshtohen pas njerëzve që e kanë trash zullumin dhe pa fije turpi me poste dhe në mënyrë arrogante edhe i ofendojnë qytetarët edhe votuesit e vet me lukse e me probleme të mëdha, keqpërdorime dhe borxhe. Ata njerëz duhet të rekrutohen dhe ne duhet të mbrohemi në këtë formë. Kur ata do të paraqiten me dëshmi do të bëhen krahë. Nëse ne nuk na del krah krejt ky front dhe ju me analiza dhe krejt të tjerët si front i përbashkët, atëherë e kotë është”,- tha nënkryetari i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Nuri Bajrami.

“Shumë mirë e ke, shumë bukur tingëllon, mirëpo ne dhe opinioni jemi dëshmitarë i përgjimeve të viteve të fundit, ku njerëz me miliona dhe me keqpërdorime shumë të mëdha i ke jashtë, i ke në mes të Shkupit, dikush ka shkuar në ekskursion në Hungari, pra rezultati është zero”,- u shpreh analisti politik, Arben Ratkoceri.

Kandidatët presidencialë veç më kanë paraqitur gjendjen pronësore, ndërkohë që presidenti i ardhshëm do të jetë i detyruar që edhe një herë të plotësojë listën anketuese. (Meral Ismaili, TVM2)