Maqedoni
Zgjedhjet presidenciale 2019, Siljanovska mbajti tubim në Tetovë
10.04.2019 16:42
Kandidatja për kryetare shteti nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska, mbajti tubim në Tetovë...

Kandidatja për kryetare shteti nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska, mbajti tubim në Tetovë, nga ku potencoi se Ligji për përdorimin e gjuhëve do shkaktojë kaos në institucione.
Ajo në fjalimin e saj tha se nuk është nacionaliste, por po ashtu nuk mund të thotë se gjuha nuk është kodi më i rëndësishëm i komunikimit në bashkësitë multietnike.
Sipas saj, nuk mundemi të kuptohemi përmes përkthimeve, sepse gjuha nënkupton atdheun sipas Konevskit, por ka pasur shumë raste kur jemi humbur në përkthim dhe nuk kemi ditur se cila është tema e bisedës.
Ajo më tej shtoi se nuk kundërshton zgjerimin e të drejtave gjuhësore, por duhet parë nëse ndryshimet janë në kuadër të kushtetutës dhe Marrëveshjes së Ohrit.
“Nëse në kopertinën e ligjit qëndron titulli, Ligji për përdorimin e gjuhëve, atëherë brenda kërkoni që në nenin e parë të shihni se cilat janë ato gjuhë. Dhe prisni që aty të numërohen gjuha shqipe, turke, rome, serbe, sepse ato janë gjuhë zyrtare, në njësitë e vetëqeverisjes lokale, aty ku janë mbi 20 për qind ose edhe aty ku nuk janë mbi 20 për qind, nëse ashtu vendos Këshilli. Kështu thotë kushtetuta, respektivisht amendamenti 5 neni 7 i saj. Por, në të vërtetë kjo nuk qëndron kështu. Në kopertinë keni shumës ndërsa në faqen e parë keni njëjës, dhe në kllapa potencohet se kjo vlen vetëm për gjuhën shqipe. Dhe duke u nisur nga kjo, pretendimi i Qeverisë “një shoqëri për të gjithë” nuk vlen. Së shpejti ne mund të përballemi me paralizë të sistemit gjyqësor. Edhe në BE dhe në Gjykatën në Luksenburg, në një gjuhë fillon procedura dhe në atë gjuhë përfundon. Tani mund të kemi dilema se cilat dokumente janë autentike të vërteta dhe kjo do të krijojë probleme”,- deklaroi kandidatja për presidente nga VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, tha se Qeveria dy vitet e fundit ka bërë shumë padrejtësi ndaj qytetarëve dhe ka dhënë premtime të rrejshme.
Si rezultat i politikave të tyre shumë qytetarë po e lëshojnë vendin, sepse mjekëve u premtuan 100 mijë denarë pagë ndërsa sot po mbushen me kuadër klinikat në Evropë. Sipas tij, qëllimi i vetëm i LSDM-së është presioni politik ndaj VMRO-DMPMNE-së.
“Z. Zaev, njëherë bëhuni të guximshëm dhe në vend se të brifoni në media ballafaqohuni me realitetin. Pse dëshironi të keni monarki të privilegjuar, në vend që të gjithë prokurorët të jenë të njëjtë në prokurori? Pse nuk dëshironi që të hapet çështja e privatizimit të elektroekonomisë, çështja e Telekomit, pse nuk dëshironi të dihet e vërteta për gjykatësit dhe prokurorët e përgjuar, apo ju dëshironi drejtësi selektive? Ejani që bashkërisht të nominojmë prokuror publik i cili do të përndjek të gjithë, duke filluar nga unë dhe familja ime”,- tha lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Sipas Mickovskit, VMRO-DPMNE premton zhvillim ekonomik dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen qytetarët në përditshmërinë e tyre.
FLUTURA LATIFI
