Maqedoni
Zgjedhjet presidenciale 2019, Pendarovski mbajti tubim në Kavadar
10.04.2019 17:36
Kandidati për president i LSDM-së dhe koalicionit, Stevo Pendarovski, mbrëmë në Kavadar mbajti konventën promovuese për zgjedhjet presidenciale...

Pendarovski potencoi përfitimet nga politikat të cilat çojnë përpara drejt NATO-s dhe BE-së, ku rezultatin e atyre politikave po e ndjejnë edhe qytetarët, posaçërisht në planin ekonomik.
“Nëse viti i kaluar ishte viti i integrimeve, ky dhe viti i ardhshëm do të jenë vite të ekonomisë të cilat po shënojnë rritje edhe atë me ritmin që nuk e kemi pasur prej vitesh dhe kjo është për shkak të integrimit të hapur. Vetëm një statistikë tregon se çfarë do të thotë kur i largon të gjitha pengesat drejt Europës dhe kur fokusohesh në ekonomi. 625 milion euro investime të huaja kanë hyrë vetëm në vitin 2018, në vitin kur morëm datë për NATO, ndërsa ende nuk jemi anëtarë të plotë. Mund të paramendoni se çfarë na pret në qershor kur presim të marrim datë për fillimin e negociatave. Nëse vazhdojmë me këtë tempo të cilën e ka imponuar qeveria dhe parlamenti, atëherë do të shohim se çfarë fonde dhe mundësi do të hapen për shtetin tonë”,- tha kandidati për president nga LSDM dhe koalicioni qeverisës, Stevo Pendarovski.
Mbështetje për numrin 3 ka kërkuar edhe PDSh në tubimin në Reçicë të Vogël të Tetovës.
Kreu i PDSh-së, Menduh Thaçi, tha se duke votuar kandidatin qeveritar, Maqedonia e Veriut përmbyll rrugëtimin për në NATO, potencoi se kandidaturat tjera që paraqiten përveç që nuk janë serioze por shndërrohen edhe në pengesë për finalizimin e këtij procesi.
“Ne në këto zgjedhje kemi dalë me mbështetjen e kandidatit të Qeverisë për shkak se rrumbullakohet ideali ynë që shqiptarët e Maqedonisë të jenë në NATO dhe në BE. Ka të tjerë të cilët shumë herë gjatë historisë së re “demokratike” kanë bërë gabime fatale. Ne nuk lejojmë që populli ynë të bëhet pjesë e atyre gabimeve fatale. Megjithatë këtë herë duhet të ketë një mbështetje që të përmbyllet ky ideal apo besnikëria e shqiptarëve drejt NATO-s dhe drejt BE-së”,- tha kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Thaçi më tej shtoi se me mbështetjen e këtij program, vendin e pret një e ardhme më e mirë.
GAZMEND KURTISHI
