“Bllaca 1999”, “Treni i tmerrit” kthehet në muze mbi gjenocidin

10.04.2019 18:42

Afro gjysmë milionë kosovarë u dëbuan atëbotë në një përpjekje për spastrim etnik të Kosovës...

20 vite kanë kaluar që kur ky tren që mbarte mijëra shqiptarë të Kosovës të dëbuar me dhunë nga forcat serbe, u ndal para kufirit ndërshqiptar në Bllacë. Ata u syrgjynosën nga forcat serbe që tentuan spastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët.

Afro gjysmë milionë kosovarë u dëbuan atëbotë në një përpjekje për spastrim etnik të Kosovës, shumica prej tyre udhëtuan në këtë tren, të ngjeshur pas njëri-tjetrit. Në vitin 1999, shqiptarët e Kosovës ishin hebrenjtë e kohëve moderne, që u nxorën me forcë jashtë kufijve të tyre shekullore. Nga Mitrovica nisi në mesditë udhëtimin e njëjtë, “Treni i Kosovës së pavarur”.

Sot nga e gjithë Kosova dhe bota, shqiptarët e bënë sërish të njëjtin udhëtim, kësaj radhe për të evakuuar kujtimet.

“Atëherë ka qenë frikë, shumë e dhimbshme ka qenë”,- u shpreh një dëshmitar i eksodit.

“Sot jemi shumë pak. Atëherë ka pasur njerëz edhe mbi trena”,- theksoi një dëshmitar i eksodit.

“Kanë qenë mbi 300 vetë në një vagon”,- tha një dëshmitar i eksodit.

“Njerëzit me dhunë u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Vetëm serbët mund ta bëjnë këtë”,- theksoi një dëshmitar i eksodit.

Fillimi i spastrimit etnik të Kosovës u bë pa marrë parasysh faktin e thjeshtë historik se shqiptarët kufizohen nga shqiptarë. Si atëherë, edhe sot, udhëtarët e trenit u pritën pranë kufirit nga vëllezërit e tyre nga Maqedonia. Treni që i solli pranë tyre në kohët më të vështira për Kosovën, është kthyer në muze për të mos harruar atë që ndodhi, por edhe solidarizimin ndërshqiptar në eksodin e atyre viteve dhe luftën për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb, një iniciativë e Shoqatës së të pagjeturve të Kosovës dhe Institutit të Trashëgimisë të Shqiptarëve në Maqedoni.

“Ngremë një qendër që do të ruajë, kultivojë e konservojë, krejt kujtesën historike të shumë gjeneratave të shqiptarëve përgjatë më shumë se një shekulli”,- tha drejtori i ITKShM-së, Skënder Hasani.

“Falënderoj Hekurudhat e Kosovës, Kuvendin komunal, Qeverinë e Kosovës, z. Ali Ahmetin me strukturat qeveritare me të cilat bashkërisht do ta krijojmë një muze për gjenocidin gjatë shekujve”,- tha Jahja Lluka nga Shoqata e të pagjeturve - Kosovë.

“Në respekt dhe në përkujtim të vuajtjeve dhe rezistencës së refugjatëve kosovarë, po e ngremë këtë muze që flet kundër harresës, një shtëpi që flet kundër mizorisë së njeriut ndaj njeriut. Faleminderit shqiptarë, bashkëkombas kudo që jeni, faleminderit për bukën dhe ujin që ua dhatë shqiptarëve të përndjekur”,- tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Nga kjo e kaluar, ne ua kujtojmë të gjithë atyre që akoma nxisin,  akoma nuk e kanë mësuar të vërtetën, që akoma kanë pretendime dhe synime, le t’i harrojnë sepse e kaluara na ka mësuar se si të veprojmë”,- theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Bllaca dhe eksodi ’99, duhet t’i mësojë gjeneratat e Ballkanit, fqinjët tanë, se këto ngjarje të natyrë etnocidiale nuk duhet të ndodhin sepse janë kundërvlerë njerëzore dhe shkelje e rëndë e të drejtave dhe vetë jetës së njeriut”,- u shpreh kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma.

20 vite nuk janë shumë në historinë e shteteve, por janë shumë për rrugëtimin që Kosova ka bërë që nga viti 1999. Gurthemeli i Qendrës Memoriale të Gjenocidit Serb do të dëshmojë atë që ndodhi në Kosovë vetëm 20 vite më parë, kur bota më nuk mendonte se mes njerëzve mund të ekzistojë urrejtje në masë aq të madhe, sa të përpiqesh të zhdukësh një komb të tërë nga trojet e veta shekullore. (Ersan Pajaziti, TVM2)