Antikorrupsioni shqyrton ankesat e VMRO-së, pranohet vetëm një ankesë e bazuar

10.04.2019 18:51

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit ka shqyrtuar nëntë kundërshtime të parashtruara nga VMRO-DPMNE....

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit ka shqyrtuar nëntë kundërshtime të parashtruara nga VMRO-DPMNE, me ç’rast ka hedhur poshtë tetë prej tyre. Pretendimet e bazuara i ka pranuar vetëm për një kundërshtim për keqpërdorimin e hapësirave në komunën e Shuto Orizares për qëllime elektorale. 

“Pretendimet e kundërshtimit janë të bazuara. Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit vazhdon me hetimin e pretendimeve të kundërshtimit me qëllim të mbledhjes së informacioneve nga komuna Shuto Orizare të nevojshme për vërtetimin e gjendjes faktike”,- tha kryetarja e Antikorrupsionit, Biljana Ivanovska.

Ndonëse e hodhi poshtë si të pabazë kundërshtimin për subvencionimin e biçikletave nga Qyteti i Shkupit, Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit do të kërkojë mendim edhe nga Prokuroria Publike. Ndërkaq, kreu i qytetit, Petre Shilegov, kundërshtimet i cilësoi politike.

“Propozoj që Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit të miratojë vendim: Pretendimet nuk janë vërtetuar, kundërshtimi nuk pranohet, por lënda të mos mbyllet. Me shkrim ta njoftojë prokurorin publik i cili në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të kërkesës ta njoftojë Komisionin për masat e ndërmarra në kuadër të përgjegjësive të tij”,- tha nënkryetari i Antikorrupcionit, Nuri Bajrami.

“Kujdesemi shumë që të mos shkelim nenin 8. Me përgjegjësi them se asnjë denarë deri më tani nuk është paguar dhe as që është miratuar një vendim i tillë. Nuk bëhet fjalë për problem juridik lidhur me parashtrimin e kundërshtimit, por mendoj se më shumë bëhet fjalë për kundërshtime politike, flas në emër të institucionit që drejtoj”,- tha kryetari i Shkupit, Petre Shilegov.

Kundërshtimet e refuzuara VMRO-DPMNE i ka parashtruar për punësime në organe shtetërore, aktivitete ndërtimi në komuna dhe financimin e shoqatave civile. (Naim Ramadani, TVM2)