Botë

Trump: Hetimet e Mullerit, përpjekje për grusht-shtet

11.04.2019 11:03

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ka biseduar me prokurorin e përgjithshëm amerikan....

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ka biseduar me prokurorin e përgjithshëm amerikan, William Barr, për të kërkuar origjinën e hetimeve kundër tij për bashkëpunim të dyshuar me Rusinë. Trump i përshkroi hetimet e këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller, si "përpjekje për grusht-shtet". Raporti i Muellerit – pjesë të të cilit janë publikuar muajin e kaluar – nuk ka konstatuar se fushata e Trumpit ka bërë konspiracion me Qeverinë ruse gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA më 2016.
 
“Hetimet kanë qenë përpjekje për grusht-shtet. Kanë qenë një tentativë për rrëzimin e presidentit”, tha Trump.
 
Në një dëshmi para Senatit amerikan, më 10 prill, prokurori i përgjithshëm tha se mendon se agjencitë e zbulimit në SHBA kanë spiunuar fushatën e Trumpit, më 2016. Barr nuk ofroi ndonjë dëshmi për të mbështetur pretendimet e tij, ndërsa më vonë tha se nuk është i sigurt se ka ndodhur ndonjë keqbërje. Barr nuk e ka publikuar ende raportin e Muellerit prej gati 400 faqesh, por vetëm një përmbledhje të tij prej katër faqesh.
 
Demokratët kanë thënë se përmbledhja nuk është e mjaftueshme dhe kanë shprehur shqetësim se Barr, i cili është emëruar nga Trump, po përpiqet të fshehë gjetjet negative për presidentin. Barr ka thënë se raporti i plotë i Muellerit, minus disa redaktime, do të paraqitet në Kongres javën e ardhshme.