Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale 2019, Pendarovski mbajti tubim në Tetovë

11.04.2019 15:06

Kandidati për kryetar shteti i mbështetur nga LSDM dhe koalicioni qeverisës, Stevo Pendarovski...

Kandidati për kryetar shteti i mbështetur nga LSDM dhe koalicioni qeverisës, Stevo Pendarovski, mbrëmë mbajti tubim në Tetovë, nga ku tha se ky qytet është simbol i multietnicitetit dhe edhe në gjuhën shqipe potencoi se Maqedonia meriton president.
 
Sipas tij, dhjetë vite shtetin tonë e udhëhoqi president të cilit i interesonte vetëm partia dhe etnia e tij.
 
LSDM ofron president i cili do të bashkojë popullin dhe të gjitha bashkësitë etnike, dëshmi është edhe Ligji për përdorimin e gjuhëve që, sipas tij, ka përmbyllur pjesën juridike të Marrëveshjes së Ohrit.
 
“Kjo strukturë arriti sukses që pas tetëmbëdhjetë vitesh të mbyll këtë çështje, ky ishte një projekt i rëndësishëm për bashkëqytetarët tanë shqiptarë të cilët dëshironin që ajo që është nënshkruar para shumë vitesh të realizohet definitivisht. Veç më po ndjehen beneficionet e të arriturave tona për periudhën 2-vjeçare. Jemi shumë afër për marrjen e datës për fillimin e negociatave me BE-në dhe për këtë u pajtuan të gjithë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ne duhet t’i ndërpresim bisedat për historinë, për përmendoret për të cilat u investuan shumë para dhe ka ardhur koha që përfundimisht paratë tua destinojmë qytetarëve. Nëse na përkrahni neve do të investoni në të ardhmen, sepse kundërshtarët tanë politikë ende përdorin retorikën nacionaliste të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Do të investojmë për prosperitet ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, andaj kërkojmë përkrahjen e qytetarëve që bashkë të ecim përpara”,- tha kandidati i LSDM-së për kryetar shteti, Stevo Pendarovski.
 
Edhe kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, iu drejtua qytetarëve edhe në gjuhën shqipe, duke potencuar se LSDM ofron kandidat i cili i bashkon të gjithë dhe i cili do të jetë kryetar për të gjithë.
 
“Sot mund të shihni se si një fshatar i Murtinos lufton për një shqiptar, por edhe se si një shqiptar lufton për një maqedonas, mund të shihni se si një turk lufton për një rom, si një boshnjak lufton për një serb, sepse të gjithë jemi qytetarë të barabartë dhe punojmë që të sjellim një jetesë më të mirë për të gjithë fëmijët tanë. Për dallim prej Mickovskit, i cili mbrëmë më është kërcënuar në emër të vëllazërisë krishtere, por unë nuk e di se në çfarë cilësie ka qenë kërcënimi, si një i krishterë apo si Hristijan Mickovski. Në krishterizëm nuk ka kërcënime, ka vetëm ndihmë”,- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Edhe nga BDI i dhanë mbështetje kandidaturës së Pendarovskit, sepse fitorja do të thotë përgjegjësi në drejtim të realizimit të qëllimeve të përbashkëta - anëtarësim të vendit në NATO dhe BE.
 
FLUTURA LATIFI