Maqedoni
“Bëhu zemër, bëhu hero”, duhen më shumë donatorë të palcës kockore
11.04.2019 15:27
Në një epruvetë gjak e cila mund të dhurohet në Institutin për imunologji, pothuajse çdo qytetar mund të jetë dhurues potencial i palcës kockore....

Vendi ynë me 2 milion banorë, duhet të ketë prej 20.000 deri në 50.000 donatorë. Por, aktualisht në Maqedoninë e Veriut ka 3.500 deri në 4.000 donatorë të palcës kockore prej të cilëve vetëm 1.500 janë të tipizuar.
Nga Klinika universitare për hematologji, thonë se donatorët vullnetarë duhet të shkojnë në Repartin për imunologji dhe mund të japin një epruvetë gjak, për dy javë do t’u rigjenerohet gjithë sasia e gjakut që e kanë dhënë, por me këtë veprim mund të shpëtojnë jetën e dikujt. Incidenca e pacientëve hematologjik malinj po rritet, vetëm vitin e kaluar janë regjistruar 70 leukemi akute. Sipas drejtoreshës së klinikës, Irina Panovska Stavridis, edhe në korniza botërore pritet edhe më tej të rritet numri i tyre.
“Qelizat janë organ që na i dërgon Europa, madje edhe në Amerikë dërgojmë organe dhe na dërgojnë organe. Ne na njohin si qendër dhe ky është sistem që funksionon”,- sqaron ajo.
Klinika për hematologji në janar nënshkroi memorandum për bashkëpunim me Klinikën për sëmundje të fëmijëve, duke filluar edhe me kryerje të transplantimeve alogjene dhe transplantime jofamiljare tek fëmijët më të mëdhenj se tre vjeç. Me sukses është kryer transplantimi i parë jofamiljar tek një vajzë 13-vjeçare me anemi aplastike.
Këtë vit janë kryer edhe tre transplante gjysmëidentike. Klinika do të nisë një fushatë sensibilizimi “Bëhu zemër, bëhu hero”, që fillon të shtunën me qëllim të rritjes së vetëdijes së qytetarëve se çfarë do të thotë të dhurosh diçka tënden për të shpëtuar një jetë njeriu.
VLORA LATIFI TOPOJANI
