Maqedoni
27 vjet doganat e RMV-së, sistem i digjitalizuar për punë më efikase
11.04.2019 16:58
Doganat e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë përpjekjet për t’iu bashkangjitur simotrave të tyre në botë, në pjesën e modernizimit....

Nga qershori pritet të fillojë funksionimi i sistemit të ri digjital për kontroll doganor më efikas dhe më modern në përputhje me zhvillimin global. Sistemi i ri ka për qëllim të përshpejtojë procedurën e operatorëve ekonomikë dhe të zvogëlojë shpenzimet në procedurat doganore.
“Me implementimin e sistemit të ri, i cili është parakusht për zhvillimin e mëtejshëm të zgjidhjeve dhe shërbimeve digjitale, do të lehtësojë ndjeshëm punën e doganierëve, agjencive kufitare dhe të gjithë pjesëmarrësve në procedurat doganore dhe të tregtisë së jashtme”,- theksoi drejtori i doganave, Gjoko Tanasoski.
“Krijimi i një klime të favorshme biznesi është thelbësor për zhvillimin ekonomik. Detyra jonë është të sigurojmë një sistem të sigurt, të drejtë dhe të qëndrueshëm. Këtu, një nga rolet kryesore është Administrata Doganore”,- tha zëvendësministrja e financave, Shirete Elezi.
Gjatë vitit të kaluar në Drejtorinë e doganave ka pasur rritje të të ardhurave për 11%, u theksua në 27 vjetorin e Ditës së Doganave.
REJHANE BUSHI METAJ
