Maqedoni
Zgjedhjet presidenciale 2019, Blerim Reka mbajti tubim në Bërvenicë
11.04.2019 18:00
Kandidati i pavarur për president, Blerim Reka, i përkrahur nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa...

Kandidati i pavarur për president, Blerim Reka, i përkrahur nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, mbajti mbrëmë tubim në Bërvenicë për ta elaboruar para banorëve të Pollogut konceptin për një Republikë për të gjithë.
Reka u ndal në fjalimin e tij në ikjen e të rinjve nga vendi, duke e fajësuar qeverisjen e kaluar, por edhe atë aktuale.
“Nëse edhe më 21 prill qytetarët e vazhdojnë legjitimitetin e një qeverisje të tillë jo të mirë, besoni se jo çereku i popullsisë, se një qeverisje e tillë e vazhdueshme do ta zbrazë plotësisht Maqedoninë. Koncepti për republikën, në theks ka sundimin e ligjit, prandaj e kam thënë një Republikë për të gjithë, me Ligjin mbi të gjithë. Thelbi i sundimit të republikës është luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. 11 vite raportet e progresit të BE-së theksonin se Maqedonia është shtet i kapur, ndërsa tash e dy vite Maqedonia është shtet privat”,- tha kandidati i pavarur për president, Blerim Reka.
“Ju do ta dëshmoni, shqiptarët, se do të dini të unifikoheni më 21 prill dhe do ta përkrahni profesor Rekën, ndërsa këtë tjetrën të cilën ato e përmendin sot, nuk është konsensualitet. Ata që flasin me gjuhën që Stevo Pendarovski është ai i cili do ta çojë vendin në BE dhe në NATO, e kanë gabim”,- tha lideri i ASh-së, Zijadin Sela.
“T’ju tregojmë të gjithë shqiptarëve se kjo nuk është një garë për hakmarrje, por kjo është një garë për të treguar se cila është rruga dhe e ardhmja e Maqedonisë. E ardhmja e Maqedonisë është të jetë pjesë e familjes europiane, vetëm atëherë kur për president të saj do të ketë një shqiptar”,- u shpreh lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
Edhe Reka edhe partitë që e mbështesin, shpresojnë që do të arrijnë të marrin vota të mjaftueshme për të kaluar në rrethin e dytë.
FITIM KRYEZIU
