Botë

Rusia edhe një hap më pranë "Internetit sovran"

11.04.2019 20:52

Dhoma e Ulët e Parlamentit të Rusisë e kaloi në leximin e dytë ligjin që do ta shkëpusë internetin rus nga rrjeti global...

Ligjvënësit në Dumën shtetërore votuan me 320 vota për dhe 15 kundër.
 
Sipas kritikëve, ligji është pjesë e përpjekjeve të Qeverisë së presidentit Vladimir Putin për të rritur kontrollin shtetëror në internet dhe për të lehtësuar censurën.
 
Ligji i ashtuquajtur "Interneti sovran" do të kërkojë që trafiku i të dhënave në mes të qytetarëve dhe organizatave ruse të mbetet brenda Rusisë dhe të mos qarkullojë ndërkombëtarisht.
 
Mbështetësit e ligjit thonë se ai do ta bëjë segmentin rus të internetit - të njohur si Runet - më të pavarur.
 
Sipas tyre, ligji është i nevojshëm për të mbrojtur Rusinë kundër sulmeve potenciale kibernetike.
 
Legjislacioni do të kërkojë instalimin e pajisjeve të posaçme që do ta bënin më të lehtë bllokimin e ueb-faqeve të ndaluara nga qeveria.
 
Masa pritet të kalojë edhe në leximin e tretë dhe të nënshkruhet nga presidenti Putin./evropaelire