Maqedoni
Rasti “Monstra”, shtatë vjet nga vrasja e pesëfishtë në Smillkovë
12.04.2019 11:25
Sot mbushen shtatë vite nga vrasja e pesëfishtë afër Liqenit të Smillkovës...

Më 12 prill të vitit 2012, 4 të rinj të moshës 18 deri në 21 vjeç nga lagja Radishan e Shkupit dhe një peshkatar 45-vjeçar nga fshati Creshevë, u vranë pranë liqenit, në një mënyrë që tronditi opinionin e gjerë. Për rastin “Monstra” me burgim të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim dhe Agim Islamiloviq, Haki Aziri dhe Sami Luta. Të gjithë këmbëngulnin se nuk ishin ata vrasësit.
Në dhjetor të vitit 2017, Gjykata Supreme i pezulloi akt-vendimet, i liroi nga paraburgimi dhe u caktoi masë kujdesi. Ende të pakapshëm janë Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq, pas të cilëve janë shpallur flet-arreste ndërkombëtare. Kosova nuk i është përgjigjur kërkesës për ekstradim nga Ministria e Drejtësisë. Pas pezullimit të akt-vendimeve, rastin “Monstra” e mori PSP-ja dhe lënda u kthye në rigjykim, aktualisht në procedurë dëshmuese.
Është bërë ekspertiza publike e automjetit “Opel omega”, janë marrë në pyetje ekspertë nga MPB, mjekësia ligjore dhe balistika. Seancat e fundit ishin të mbyllura për opinionin, pasi u prezantuan dëshmi të siguruara me masa të veçanta hetuese. Por, të dyja palët, edhe familjet e viktimave edhe të dënuarit parësorë, presin materialet e PSP-së që duket se do të prezantohen në seancat e fundit.
