Botë
Arrestimi i themeluesit të “Wikileaks”, ndalohen edhe bashkëpunëtorët e Asanges
12.04.2019 11:59
Një person me lidhje të ngushta me themeluesin e Uikileaks, Julian Assange, është arrestuar ndërsa përpiqej të largohej nga Ekuadori.

Një person me lidhje të ngushta me themeluesin e “Wikileaks”, Julian Assange, është arrestuar ndërsa përpiqej të largohej nga Ekuadori. Lajmi është konfirmuar nga ministrja e brendshme e vendit.
Bëhet fjalë për Ola Binin, një projektues suedez softuerësh. Arrestimi erdhi një ditë pas arrestimit në Londër të vetë Julian Assanges. Ky i fundit përballet tani me ekstradimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me një dënim deri në 5 vite burg për bërjen publike të një serie dokumentesh të rëndësishme. Ai u mor me forcë nga Ambasada e Ekuadorit në Londër të enjten, arresti që i dha fund një ngërçi diplomatik që zgjaste prej 7 vitesh.
Pas 2.487 ditësh në ambasadë, 47-vjeçari u arrestua, pasi Ekuadori revokoi azilin e tij politik dhe ftoi Policinë e Londrës brenda ambienteve të ambasadës, ku Assange qëndronte që nga 2012. Dje pasdite, Asange u shpall fajtor për mosparaqitjen në gjykatë dhe përballet tani edhe me 12 muaj burg në Britaninë e Madhe.
