Maqedoni
Zgjedhjet Presidenciale 2019, Pendarovski mbajti tubim në Koçan
12.04.2019 14:36
Kandidati për kryetar shteti i mbështetur nga LSDM dhe koalicioni qeverisës, Stevo Pendarovski, mbrëmë mbajti tubim në Koçan...

Kandidati për kryetar shteti i mbështetur nga LSDM dhe koalicioni qeverisës, Stevo Pendarovski, mbrëmë mbajti tubim në Koçan, nga ku tha se zgjidhja e çështjeve të hapura dhe integrimet evropiane janë çelësi për një të ardhme të sigurt dhe stabile.
Sipas tij, me marrjen e datës për fillimin e negociatave me BE-në nga fondet evropiane do përfitojmë mjete financiare dhe e gjithë kjo nënkupton jetesë më të mirë, vende të reja të punës dhe investime.
Për bujqit do hapen mundësi të reja që përmes fondeve që marrin prodhimet tona të jenë konkurrente në tregun evropian.
Asnjë shtet deri më tani nuk ka mundur të zgjidh problemin me shpërnguljen nëse nuk është pjesë e tregut evropian. Sipas Pendarovskit, të gjitha parakushtet për zhvillim ekonomik i kemi.
Kjo do të thotë se duhet të vazhdojmë drejt BE-së dhe NATO-s për një jetesë më të mirë për të gjithë ne, theksoi ai.
“Nëse reformat vazhdojnë me këtë tempo, për dy muaj nga tani Këshilli i Evropës duhet të vendos për datën e negociatave me BE-në dhe ne do bëjmë gjithçka që të mos ketë vërejtje në aplikacionin tonë dhe pas 14 viteve përfundimisht të fillojmë negociatat me BE-në. Pas kësaj hapen perspektiva të mëdha për vendin, sepse hapen fondet paraqasëse me BE-në, jo vetëm për bujqësinë, por edhe për të gjitha sferat tjera. Afërsisht 900 milion euro në nivel vjetor janë në dispozicion. Ne do të kemi për obligim të propozojmë projekte dhe të tërheqim ato mjete financiare. Ju e dini se nuk ekziston asnjë vend në Evropë i cili ka mundur që vet të zhvillohet, në të cilin ka demokraci dhe respektohen të drejtat e njeriut, investime, vende të reja të punës dhe e njëjta të mos jetë anëtare e BE-së dhe NATO-s. Me anëtarësimin në NATO ne kemi kufij të sigurt, në nivel ndërkombëtar, siguri dhe zhvillim ekonomik”,- tha kandidati për president - LSDM dhe Koalicioni, Stevo Pendarovski.
Edhe PDSh vazhdoi takimet me degët e saj për përkrahjen e Pendarovskit. Sipas kryetarit të PDSh-së, Menduh Thaçit, vendimi i PDSh-së është vazhdimësia e politikës së mençur, për ta rrumbullakuar procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike.
“Presidenti i ardhshëm duhet të jetë figurë kryesore e shtetit që do nënshkruajë dokumente jashtëzakonisht të rëndësishme, që kanë të bëjnë me anëtarësimin e plotë të Maqedonisë në NATO në dhjetor dhe ju e dini po ashtu se presidenti është përgjegjës për ushtrinë”,- theksoi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Thaçi më tej shtoi se e kupton pakënaqësinë e shqiptarëve sa i përket mungesës së perspektivës, zhvillimit ekonomik, por me përkrahjen e forcës politike që di se çfarë kërkon, pas zgjedhjeve presidenciale do të kthehet lumturia edhe te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut
FLUTURA LATIFI
